E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Mësuesit nën presion, Rama të heqë dorë nga kërcënimet

26-05-2013 / Gazeta 55

15 milion euro për ndërtimin e shkollave në Tiranë

Drejtuesit e shkollave nuk duhet të kërcënohen, ata janë njerëzit që shpërndajnë dijen. Kjo ka qenë deklarata e kreut të bashkisë Lulëzim Basha i cili ka reaguar pas deklaratës së kryesocialistit Edi Rama një ditë më parë se arsimtarët që nxjerrin nxënësit në fushatë do të përballen me ligjin, pas 23 qershorit.  "Rruga që jepet ajo e kërcënimit të drejtorëve nuk është gjë tjetër veçse poshtërim, unë do thosha që fajin për fushatën e Ramës nuk e kanë drejtorët e kanë çiklistët. Ju do të thoni pse çiklistët? Unë do them pse drejtorët? Të nxjerrësh inatin, me njerëz të cilët me përkushtimin e tyre kanë bërë të mundur që qyteti, që gjimnazet, gjimnazistët të afrohen pranë standardeve të tilla siç është Harku i artë i Frankfurtit do të thotë që të jesh krejtësisht jashtë kohe”, theksoi Basha. Basha u shpreh se sfida e institucionit që ai drejton është të rrisë numrin e shkollave  në Tiranë, ku këto të fundit janë të pamjaftueshme për të përballuar fluksin e lartë  të nxënësve. Shumë shpejt për përmirësimin e infrastrukturës arsimore do të vihet në dispozicion një grant prej 15 milionë eurosh. "Ne rritjen e madhe të qytetit në 15 vitet e fundit nuk kemi patur një rritje proporcionale të kapaciteteve arsimore. Numri i shkollave në qytet ka mbetur i vogël dhe  i reduktuar dhe kjo natyrisht ka një efekt në cilësinë e mësimdhënies. Ne kemi në prag të firmosje së marrëveshjes grandi prej 15 milionë eurosh me një organizatë të njohur me kontribuuesin e zhvillimit të Shqipërisë  OFID, e cila do të bëjë të mundur që ne të tejkalojmë brenda një kohe të shkurtër këtë trashëgimin të hidhur të infrastrukturës së prapambetur arsimore në Tiranë”, theksoi Basha. Këto deklarata Basha i bëri gjatë një aktiviteti me gjimnazistë të  Qemal Stafës. Nxënësit e kësaj shkolle janë cilësuar dhe si fituesit e garës 6 javore mes shkollave të mesme në Tiranë, në art dhe sport. Ndërkaq bashkia ka nënshkruar dhe një marrëveshje bashkëpunimi me ministrinë e Arsimit që duke filluar që nga viti i ardhshëm shkollat  e arsimit parauniversitar të kthehen edhe në qendra komunitare.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›