E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, shoku i autobusit që s’kupton nga punët shtetërore

26-05-2013 / Gazeta 55

Partia Demokratike zhvillon Konventën për Shqipërinë e Zhvilluar. Vazhdimi i investimeve, apeli kryesor i mazhorancës, për një mandat të ri në qeverisje.
Berisha: “Me PD marrim statusin dhe integrojmë Shqipërinë në Europë
Ligjëratat e djeshme/“Kur Rama të votojë 3 ligjet, ne nuk do ia falim - daullet e humbjes do bien për të”

Kryeministri Berisha premtoi se në katër vitet e ardhshme do të tërheqë investitorët më të fuqishëm të huaj. “Me politikat fiskale do bëjmë Shqipërinë vendin më tërheqës për investitorët e huaj në rajon dhe më gjerë. Në katër vitet që vijnë do sjellim në Shqipëri gjigantët e hi-tech dhe të prodhimit të automobilave me politikën fiskale për 5 vjet zero taksa”- u shpreh kryeministri 

Partia Demokratike zhvilloi dje konventën për Shqipërinë e Zhvilluar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku shpalosi programin e saj me të cilin kërkon një mandat të tretë qeverisës. Konventa e PD-së, u çel nga numri dy i PD-së, Astrit Patozi, i cili duke sjellë në vëmendje arritjet e mazhorancës ndër vite, theksoi se PD nuk do të ndalet deri sa Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të barabarta ne BE. Ndërsa kryetari i PD dhe njëherazi kryeministri Sali Berisha u shpreh se në 8 vite në Shqipëri janë ndërtuar mbi 11 mijë km rrugë në të katër anët e Shqipërisë. “Në ndërtuam në pak kohë mbi 11 mijë km rrugë në kaur anët e Shqipërisë. Ti shok në autobus, duhet të të them dy fjalë, në Shkodër u the shkodranëve se janë ndërtuar gjithsej 600 km, por kur Shkodra qeshi dhe u tall me ty dhe t’u përgjigj se nga ura e Drinit në Fierze dhe gjer në Velipojë nga Vermoshi gjer ne Pukë, janë ndërtuar mbi 900 km rrugë. Nga autobusi yt, shpike shifrën tjetër, 1 500 km rrugë, mjeran, mjeran, i shkretë, i padijshëm, asgjë nga punët shtetërore. Ke qenë kryetar bashkie, o piktor i dështuar. E ke lenë qytetin tonë me 250 km rrugë dhe rrugica të pa asfaltuara. Mësoje këtu njeri i shkret, i varfër i mjerë në ide, se çdo rrugë ndërtohet me një projekt, se ajo rrugë ndërtohet mbi një preventiv, se çdo preventiv zbatohet me një financim dhe se o shoku i autobusit vetëm Fondi Shqiptar i Zhvillimit me 320 milion dollarë ka ndërtuar kilometër për kilometër 1520 km rrugë. Mësoje, mësoje o piktor i dështuar se Fondi Shqiptar i Rajoneve dhe grantet konkurruese gjatë viteve të qeverisë sonë kanë marrë për rrugë shkolla she ujësjellësa, 1 miliard e 50 milion dollarë. Ti je nga ata që ke marrë jo pak, por i bëre rroga dhe rrush e kumbulla me Koçon dhe le Tiranën pa rrugë. Mësohet se financat janë financa, se shifrat e financave janë të qarta dhe të sakta si rrezja e diellit, se ato nuk lëvizin me çantat e Koços apo valixhet e Fidelit po lëvizin nga thesari ne banken e shteti. Mësoje se Shqipëria ka një Drejtori Rrugësh dhe Ministri që ka investuar në rrugë 10 herë më shumë se Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Duke parë se je i sëmurë nga rrugët, unë jam mjek e kam të thjeshtë ta kuptoj se të ka zënë dromosfobia. Mendova të të ftoj 2-3 herë të inaugurojmë se bashku por druaj se kjo kurë nuk të nxjerr nga sindromi ku ke rënë. E ke gjet ilaçin, ti rri në autobus, ne do shtrojmë rrugët”.

Shqipëria e zhvilluar, vepër e reformave të reja
Kryeministri Sali Berisha deklaroi gjatë Konventës së Partisë Demokratike për Shqipërinë e Zhvilluar se, rruga e zhvillimit është një rrugë me vështirësi, por për shqiptarët është një rrugë me shpresë të madhe. “Pjesëmarrja masive në këtë fushatë buron nga shpirti i shqiptarëve për projektet e Shqipërisë së zhvilluar dhe europiane. Shqiptarët në të 4 anët e vendit e prekin dhe e ndiejnë, janë të sigurt se po ecin të sigurt në mandatin e tretë të Shqipërisë Europiane. Shqiptarët mbushin sheshet tona se kanë besim se në 4 vitet e ardhshme do të kapim Shqipërinë e zhvilluar dhe Europiane”, tha Berisha. Sipas kreut të qeverisë, “shqiptarët që nisën rrugën e lirisë nga nivelet më ekstremiste të mjerimit në botë, ndihen krenar që në këto vite e rritën vendin e tyre , 11 herë, sa asnjë vend tjetër në Europë dhe në botë”. “Shqipëria e zhvilluar është vepër e të rinjve shqiptarë, atdhetarë që në këto vite me energjinë dhe entuziazmin e tyre i dhanë Shqipërisë ecjen dhe vrapin e tyre. Shqipëria e zhvilluar është vepër e vajzave, grave dhe nënave shqiptare, roli i të cilave bëhet gjithmonë e më i madh. Shqipëria e zhvilluar është vepër e qindra mijëra shqiptarëve që çelën dhe lulëzuan bizneset e tyre, punësuan dhe rritën prodhimet e tyre. Shqipëria e zhvilluar është vepër e fermerëve shqiptarë që nxjerrin nga toka prodhimet e tyre. Shqipëria e zhvilluar është vepër e burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që e duan atë me gjithë shpirt dhe çdo ditë vendosin të bëjnë diçka të re”, tha Berisha. “Shqipëria e zhvilluar është vepër e reformave të reja, sistemit arsimor, pasi vetëm një Shqipëri e dijes, arsimit dhe kulturës do të kap nivelet më të larta të zhvillimit. Gara e dijes është gara më madhe e të gjitha kohrave dhe shqiptarët do ta fitojnë atë. Sot shqiptarët kanë 4-fishuar numrin e të diplomuarve dhe studentëve. Sot dhjetra mijëra shqiptarë diplomohen në universitet më të mira të botës. Arsimi dhe dija është beteja më e madhe, ndaj jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për shkollimin më cilësor të shqiptarëve në të gjithë nivelet. Ndërtuam mbi 1300 shkolla dhe do të rindërtojmë çdo shkollë”, theksoi Berisha. Zhvillimi i Shqipërisë, tha Berisha, “është rezultat i infrastrukturës moderne. Shqipëria me infrastrukturë moderne do të bëjë të mundur shfrytëzimin e pasurive të saj përrallore kudo”. Vetëm pak vite më parë, tha kryeminsitri Berisha, “ishim vendi që na mungonin dritat, uji, shkollat, na rrënoheshin rrugët, spitalet, jo se Shqipëria ishte e varfër, por sepse ajo dergjej në kthetrat e shokëve socialistë. Në pak vite e shndërruam energjinë në shtyllë kryesore të ekonomisë tone”. Sipas kryeministrit Berisha, në 4 vitet që vijnë Shqipëria do të tërheqë 6 miliardë dollarë investime të huaja. “4 vitet që vijnë do të trefishojmë grantet dhe mbështetjen për fermerët shqiptarë. 4 vitet që vijnë do të shkojë në 7 milionë numri i turistëve”- deklaroi kryeministri.
Premtimet e kryeministrit: 250 mijë vende të reja pune dhe 6 miliardë dollarë të investime
“4 vitet që vijnë, 250 mijë vende të reja pune, 6 miliard dollarë investime të huaja do të tërheqë ky vend, do të trefishohen grantet dhe mbështetja për fermerët shqiptarë. 4 vitet që vijnë do arrijë në 7 milionë numri i turistëve në Shqipëri. 4 vitet që vijnë do bëjmë gjithçka për të zbarkuar në Shqipëri gjigandët e Hitech dhe industrisë së makinave me regjim fiskal 5 vjet pa asnjë taksë dhe detyrim tatimor. Vitet që vijnë vitet vendimtare të integrimit Europian. Së bashku do marrim statusin dhe do ecim të vendosur drejt Europës dhe BE”

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›