E Martë, 3 Nëntor 2026

Basha: Mungon mbështetja nga qeveria për fshatin, banorët në vështirësi të shumta ekonomike

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar turin e takimeve, ndërsa këtë ditë të dielë është ndalur në njësinë Administrative, Ndroq.

Në kuadër të turit të tij, Basha ka takuar aktivistët dhe banorët e kësaj zone rurale të Tiranës, për të folur për problemet që ata hasin.

Duke u ndalur në zonën Pezë Helmes, kreu i PD, është njohur nga afër me problematikat dhe ka bashkëbiseduar me një prej aktivistëve të kësaj zone, Qani Memën.

Në bisedën me zotin Mema, Basha u interesua për situatën ekonomike e sociale të kësaj zone, ndërsa vlerësoi zërin e fortë të Qaniut për të mbrojtur të drejtat e fermerëve të varfëruar nga keqqeverisja.

“Pata kënaqësinë të vizitoja familjen e Qani Memës, në Pezë Helmes. Qaniu është një zë i fortë në mbrojtje të të drejtave të banorëve te zonës, të cilët janë lënë në harresë nga pushtetarët vendorë dhe qendrorë.
Ai denoncon çdo ditë padrejtësitë që u bëhen banorëve të zonës nga pushteti lokal. Qaniu na tregoi të gjitha problemet, se si ai ka shkuar shumë herë te administratori i zonës, por situata mbetet e njëjtë. Gjendja ekonomike është e vështirë dhe banorët e kanë gjithnjë e më të pamundur të përballojnë jetesën në këto kushte, kur të gjitha çmimet janë rritur dhe mbështetja nga qeveria mungon plotësisht”, shkruan në facebook Basha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›