Basha: Në Kosovë të zbatohet plani Ahtisaari

"Zbatimi i plotë dhe pa mëdyshje i Planit Ahtisaari është garanci dhe domosdoshmëri për stabilitetin, sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në rajon", ka deklaruar ministri Lulëzim Basha në takimin me ministrat e jashtëm të NATO-s. Veç të tjerave ai theksoi se falë angazhimit të Aleancës, situata e stabilitetit të sigurisë në Kosovë dhe në gjithë rajonin është përmirësuar ndjeshëm. Ministri Basha përshëndeti angazhimin e qeverisë së Kosovës për të mundësuar shtrirjen sa më të shpejtë të EULEX në të gjithë territorin e Kosovës, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.Në ditën e dytë të Ministerialit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s, ministrat e jashtëm të vendeve të Aleancës njëzëri përshëndetën vendimin për shtrirjen e menjëhershme të Misionit EULEX në Kosovë si një hap i shumëpritur që i kontribuon konsolidimit të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë. Gjatë fjalës së tij në këtë sesion duke nënvizuar angazhimin e NATO-s për integritetin territorial të Republikës së Kosovës, ministri Basha theksoi se zbatimi i plotë dhe pa mëdyshje i Planit Ahtisaari është garanci dhe domosdoshmëri për stabilitetin, sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në rajon. Më tej Basha informoi Këshillin e Atlantikut të Veriut mbi kontributin prej 250 000 eurosh që Shqipëria do të japë për ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. "Shqipëria", shtoi ministri Basha, "mbështet fuqimisht aspiratat euroatlantike të të gjithë vendeve të rajonit dhe do të punojë me përkushtim edhe brenda Aleancës për realizimin e këtij vizioni të përbashkët". Duke mbështetur fuqishëm angazhimin e Aleancës në Afganistan, ai informoi ministrat e jashtëm të NATO-s se Shqipëria së shpejti do të rrisë numrin e efektivave të saj që shërbejnë në kuadër të ISAF në Afganistan për t'iu përgjigjur kështu nevojave të Aleancës dhe thirrjeve për angazhim edhe me të madh në drejtim të situatës së sigurisë në këtë vend. Në fund të fjalës së tij, Lulzim Basha falënderoi dhe njëherë ministrat e jashtëm të vendeve që kanë ratifikuar protokollet e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, si dhe përshëndeti angazhimin e vendeve të tjera të Aleancës për të përmbyllur me sukses anëtarësimin e plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO përpara Samitit të Strasburgut. Pas përfundimit të Ministerialit, Ministri Basha u nis, së bashku me një numër të madh kolegësh drejt Norvegjisë, ku do të nënshkruajë Konventën e OKB-së për ndalimin e Municioneve Thërrmuese.