Berisha takon presidentin bullgar, Parvanov

Kryeministri Berisha takoi Presidentin e Bullgarisë Georgi Parvanov. Sali Berisha i konsideroi marrëdhëniet politike midis dy qeverive dhe vendeve tona të shkëlqyera. Kryeministri Berisha vlerësoi vizitën e sotme të Presidentit Georgi Parvanov si një kontribut i rëndësishëm për forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe si një nxitje për zgjerimin marrëdhënieve ekonomike e tregtare midis dy vendeve, të cilat me gjithë rritjen e theksuar që kanë njohur gjatë viteve të fundit, kanë hapësira dhe potenciale të mëdha për zhvillimin te mëtejshëm. Berisha nënvizoi se Shqipëria ka ndjekur me kënaqësi progresin e Bullgarisë si dhe integrimin e suksesshëm të saj në NATO dhe në BE dhe se shqiptarët dhe qeveria e tyre shohin tek Bullgaria një aleat e përkrahës të fortë të aspiratës së integrimit të Shqipërisë në NATO dhe në BE. Ndër të tjera ai i shprehu Presidentit Georgi Parvanov mirënjohjen për ratifikimin e shpejtë nga Bullgaria të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke shtuar se qeveria shqiptare po realizon me vendosmëri reforma të rëndësishme për realizimin sa me parë të dy projekteve madhore për kombëtare, integrimin në NATO dhe në BE. Presidenti i Bullgarisë, Parvanov shprehu vlerësimin e tij të lartë për progresin e Shqipërisë në të gjitha fushat duke theksuar se Bullgaria do të vazhdojë të mbështesë me forcë anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO dhe në BE. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe BE do të rrisë stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e Rajonit - u shpreh Presidenti Georgi Parvanov. Më tej, Presidenti Bullgar nënvizoi se marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve po ndihmojnë intensifikimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe ne fusha te tjera.Të dy personalitetet nënvizuan rëndësinë e përqendrimit të të dy vendeve në projektet e mëdha infrastrukturore me interes për të gjitha vendet e rajonit, si linja hekurudhore që do të lidh Shqipërinë me Maqedoninë dhe Bullgarinë, Korridorin e tetë apo projekte te tjera si AMBO, të cilat kanë rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të mbarë rajonit.Gjatë takimit u diskutua edhe mbi nxitjen e investimeve dhe projekteve ne fushën e energjisë, bujqësisë, kulturës, arsimit etj. Kryeministri Berisha dhe Presidenti i Bullgarisë Georgi Parvanov diskutuan dhe mbi zhvillimet më të fundit në rajon, duke u ndalur veçanërisht në zhvillimet në Kosovë.