Basha: Objektivi parësor, rritja e shanseve për punësim dhe zhvillimi progresiv ekonomik

Kryetari i Bashkisë së Tiranës vijon me qytetarët e njësisë bashkiake nr.11, konsultimet për buxhetin e vitit 2012
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka vijuar sot konsultimet për projekt buxhetin e vitit 2012 me banorët e Njësisë Bashkiake numër 11. Njësia Bashkiake 11 përfiton investime në buxhetin e vitit 2012 sa në 10 vitet e fundit të marra së bashku. Projektbuxheti i Bashkisë për vitin 2012, parashikon; rikualifikimin urban të infrastrukturës rrugore, ujësjellës kanalizime, rikonstruksion dhe ndërtim shkollash, kopshte e çerdhe, ndërtimin e një qendre sociale etj, duke kthyer kështu vëmendjen e Bashkisë edhe ndaj kësaj njësie bashkiake. “Një pjesë e madhe e këtyre investimeve shtrihet në territorin e njësisë bashkiake nr 11, një njësi e cila për një kohë të gjatë është lënë jashtë vëmendjes dhe pasojat e kësaj mungesë vëmendjes ju i vuani në mënyrë të përditshme. Për këtë Njësi Bashkiake ne kemi planifikuar vitin e ardhshëm fonde të mjaftueshme të ndërtimit të Unazës në Kodër-Kamëz me një gjatësi prej 1300 metrash, ndërtimin e e rrugës që lidh rrugën Don Bosko me rrugën Egnatia, rehabilitimin total të bllokut mbi shinat në një sipërfaqe prej 30 hektarësh, ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza në kufi me Komunën e Paskuqanit, ndërtimin e kanalizmit të ujërave të zeza në bregun e Lumit. Këto 5 investime të mëdha infrastrukturore janë rezultat i një konsultimi paraprak me të zgjedhur të njësisë vendore 11, me kryetarin Haki Mustafa por edhe përfaqësues të tjerë të zërit të komunitetit të kësaj njësie vendore. Ne kemi në buxhetin e vitit 2012 rikonstruksionin e dy kopshteve, në rrugën Gjergj Legisi dhe në Kodër – Kamëz po kështu do të bëhet instalimi i pajisjeve të ngrohjes në kopshtin e Bregut të Lumit, objekt që është në vazhdim. Do të ndërtohet një komponent shtesë në shkollën Isa Boletini dhe do ndërtohet tërësisht shkolla 9 vjeçare “Ahmet Gashi”. Do të investohet në parametra Europiane në çerdhet nr 11 dhe numër 30 si dhe ka nisur puna për ndërtimin e qendrës sociale këtu në Laprakë si një pjesë e angazhim tonë për të pasur 6 qendra të tilla deri në qershorin e vitit të ardhshëm”, tha Basha. Banorët e njësisë bashkiake numër 11 janë përfituesit kryesore të një sërë projektesh strategjike që marrin jetë gjatë vitit 2012, siç është ndërtimi i terminalit të ri të trenit dhe autobusëve urbane dhe interurbanë. Kjo do të mundësojë edhe zhvendosjen e shinave të trenit, një problem tejet shqetësues për banorët e Laprakës. Po kështu Linja e Tramit, Laprakë- sheshi Nënë Tereza, rehabilitimi i Lumit të Tiranës, ndërhyrja në rreth-rrotullimin e Doganës dhe mbikalimet që parashikohen të ndërtohen përgjatë rrugës së Durrësit, janë projekte që kanë impakt mbi këtë zonë si përsa i përket zhvillimit ekonomik por edhe punësimit. “Këto nuk janë investimet e vetme me të cilat ne do të nisim punën në këtë njësi vendore vitin e ardhshëm sepse nga planet strategjike të Bashkisë së Tiranës janë projektet që kemi diskutuar bashkarisht edhe para fushatës, një pjesë e madhe ka një impakt të drejtpërdrejtë ose shtrihen në territorin e njësisë tuaj vendore. Ne do të nisim së shpejti transferimin e stacionit të trenit, nga vendi ku ndodhet tani tek territori që kemi marrë që është shumë afër njësisë suaj vendore, pavarësisht se shtrihet në territorin e Kasharit, një sipërfaqe prej 80 mijë metrash katrorë ku ne do të vendosim stacionin e ri të trenit, stacionin e autobusave interurbanë të të gjithave drejtimet me përjashtim të lindjes. Pra për perëndimin, veriun, jugun dhe drejtimet e ndërmjetme si dhe ku do të nisë projekti i njërit prej linjave të tramit që përkatësisht do ta përkufizoja si linja Laprakë, Sheshi Nënë Tereza. Vendosja e këtij terminali realizon nga pikëpamja infrastruktore një hap shumë të rëndësishëm para se të nisë investimi strategjik i Bulevardit të ri nga stacioni i Trenit deri në tek Lumi i Tiranës dhe më pas deri tek rezervuari i Paskuqani, që është edhe bërthama e parkut të ri të qytetit të Tiranës. Nga pikëpamja e zhvillimit të ri ekonomik dhe e Tiranës policentrike, vendosja e këtij terminali multi modal pasagjerësh me një afërsi gjeografike pothuajse të puqur me njësinë vendore 11, përfaqëson një nga ndërmarrjet tona më të rëndësishme të zhvillimit dinamik të Tiranës në tërësi dhe të njësisë vendore 11 në veçanti. Shmanget sipas kërkesës tuaj një prej fatkeqësive më të mëdha që ka sjellë vendndodhja e pa siguruar e shinave të trenit përmes një lagje të Tiranës e cila merr mesatarisht dy deri në tri jetë në vit dhe krijohet një potencial i lartë zhvillimi urban për këtë zonë, i cili do të reflektohet në planin e ri urbanistik, ku kjo zonë dhe banorët e saj me pronarët me dokumente apo pronarët që do t’i marrin sipas ligjit të legalizimit, do të kenë mundësi të zhvillojnë pronën e tyre në parametrat më optimalë të mundshëm dhe me koeficientët më të lartë të mundshëm të zhvillimit.
Një investim tjetër që do të nisë vitin e ardhshëm ku Bashkia do të luajë një rol kryesor në planifikim dhe këtu kemi padyshim edhe rolin tonë buxhetor, ndonëse më modest në krahasim me rolin buxhetor që do të luajë qeveria, është segmenti i Unazës së re nga qendra Kristal tek Teknologjikja, për t’u bashkuar me Unazën e re që është ndërtuar prej kohësh dhe ndërtimin me dy nivele të rreth-rrotullimit të Doganës.
Lumi i Tiranës është sot në gjendje të degraduar por me projektin që ne parashikojmë, ky lumë jo vetëm do të rehabilitohet, por do të jetë pjesë e rëndësishme e zhvillimit urban të Tiranës. Aktualisht inxhinjerët kanë përfunduar matjet topografike si dhe preventivin për katër mbikalime përgjatë rrugës së Durrësit. Ky investim është parashikuar në një skemë të partneritetit me sektorin privat dhe kompani të cilat janë angazhuar dhe do të angazhohen me projekte të ndryshme të Bashkisë së Tiranës, kanë marrë përsipër të ndërtojnë të katër mbikalimet, vendndodhjen e saktë të tyre do ta përcaktojmë në bazë të matjeve së trafikut por edhe opinionit të qytetarëve të të dy anëve të Rrugës së Durrësit dhe njësive Bashkiake nr 11 dhe nr 7, dhe për këtë kërkohet kontributi juaj aktiv”, tha Basha para banorëve të Njësisë Bashkiake nr 11.
Kryebashkiaku nënvizoi edhe në këtë takim filozofinë e re të instaluar prej tij në Bashkinë e Tiranës, “shkurtim shpenzimesh dhe rritje shërbimesh”.
...