Kancelarja gjermane, Angela Merkel viziton nesër Kosovën
Qeveria e Kosovës ka vendosur që kancelares Merkel t’i rezervojë një pritje madhështore në vizitën e saj një ditore në Prishtinë
Kancelarja gjermane, Angela Merkel do të zhvillojë nesër një vizitë zyratre në Kosovë. Lajmi është konfirmuar nga zyra për informim e Ambasadës Gjermane në Prishtinë. Zëdhënësja e Ambasadës gjermane në Prishtinë, Sara Bonau informoi se fokusi kryesor do të jetë vizita e planifikuar tek ushtarët gjermanë, por gjatë qëndrimit të saj njëditor Merkel do të zhvillojë takime edhe me zyrtarët kosovarë. Ndërsa takime të ndara do të zhvillojë edhe me komandantin e KFOR-it, Erhard Drews, kreun e EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac dhe përfaqësuesin e BE-së Fernando Gentilini. Në fund të muajit gusht, Merkel qëndroi në Beograd, ku kishte theksuar rëndësinë për rezultate të prekshme nga dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë. Kancelarja gjermane dënoi ashpër sulmin e protestuesve serbë ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR-it më 28 nëntor të këtij viti, duke kërkuar llogari edhe nga Serbia për rolin që ka pasur në këtë mes. Ndërkaq, qeveria e Kosovës ka vendosur që kancelares gjermane Angela Merkel t’i rezervojë një pritje madhështore në vizitën e saj, pjesë e së cilës do të jenë Garda e Ceremonive, banderolat dhe flamujt gjermanë nëpër qytet. Edi Sejdiu, shef i protokollit të kryeministri të Kosovës, Hashim Thaçi, tha për Radion Evropa e Lirë se ekzekutivi i vendit ka vendosur që kancelares gjermane Merkel t’i bëjë një pritje madhështore. Sejdiu ka bërë të ditur se Merkel pritet të arrijë në Aeroportin Ndërkombëtar të Kosovës “Adem Jashari” rreth orës 11:00. Ai tha se për shkak të kohës së shkurtër të qëndrimit të kancelares në Kosovë, takimi i kryeministrit Thaçi me të, do të realizohet në aeroport.
“Kjo vizitë vjen pas një lajmi shumë të mirë nga Brukseli dhe mund të quhet vizitë historike. Për shkak se kjo vizitë do të jetë disa orëshe në Kosovë, ne jemi dakorduar me palën gjermane që takimi të mbahet në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’. Ne kemi marrë të gjitha masat që t’i organizojmë një pritje madhështore kancelares gjermane”, deklaroi Sejdiu.
Ai po ashtu tha se nga vizita e kancelares gjermane Merkel priten mesazhe të rëndësishme në drejtim të fuqizimit të bashkëpunimit në mes të dy shteteve.
“Ne mendojmë se nga kjo vizitë do të ketë mesazhe që do ta forcojnë bashkëpunimin tonë si dy shtete, pra Republikës së Kosovës dhe shteti të Gjermanisë, si dhe do të ketë konfirmim për rrugën tonë drejt BE-së, si dhe mesazhe të tjera”, u shpreh Sejdiu.
Nga ana tjetër, analistët politikë thonë se vizita e kancelares Merkel në Kosovë, para së gjithash është e motivuar të bëhet pas incidentit që pjesëtarët e KFOR-it gjerman patën ditë më parë në veri të Kosovës me banoret serbë në barrikada.
Kancelarja gjermane pati dënuar ashpër sulmin e protestuesve serbë ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR-it më 28 nëntor të këtij viti, duke kërkuar llogari edhe nga Serbia për rolin që ka pasur në këtë mes.
...