E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Presim nota pozitive për vizat. Koha nuk varet nga ne

27/04/2010 Kuvendi seancë dëgjimore me Ministrin e Brendshëm

Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha deklaroi dje se vendi ynë i ka plotësuar kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për procesin e liberalizimit të vizave, por tha se nuk është në dorë të Tiranës zyrtare koha e vendimmarrjes. Pavarësisht kësaj, ai deklaroi gjatë një seance dëgjimore në Komisionin parlamentar për Sigurinë Kombëtare se në bazë të plotësimit të kritereve pret një vendim të shpejtë dhe pozitiv. “Fokusimi ynë ka qenë plotësimi i kritereve nga ana e teknologjisë, akteve ligjore etj. Siç e dini, procesi i vendimmarrjes së BE-së kalon në disa etapa. Komisionerja Malstrom më siguroi se nuk do të ketë vonesa në dorëzimin e opinionit te Parlamenti Evropian. Ne mund të komentojmë, po nuk është në dorën tonë. Por unë do të thosha se nuk kemi humbje, gjithsesi, pasi me plotësimin e kritereve Shqipëria shfaqet me një imazh ndryshe, që plotëson jo vetëm kushtet për liberalizimin e vizave, por dhe si një vend i denjë për që qenë vend anëtar i BE-së”, - tha Basha. Më poshtë ai vijoi se është insistuar që vlerësimi për Shqipërinë të jetë strikt, objektiv dhe i ndershëm, bazuar në kriteret teknike. “Nuk kemi kërkuar dhe as kërkojmë favore. Nuk kemi kërkuar, as kërkojmë dhe as nuk kemi nevojë që në këtë proces të merren parasysh specifika politike, rajonale apo kushte të tjera që nuk kanë të bëjnë me udhërrëfyesin. E kemi bërë këtë sepse kemi besim të plotë në atë që kemi arritur, që qartësisht na vendos në disa prej rrafsheve kryesore në krye të vendeve të rajonit, jo vetëm të atyre që presin, por edhe atyre që kanë përfituar liberalizimin e vizave”, - deklaroi ministri. Referuar komenteve mbi këtë proces krahasuar me të njëjtin proces për disa vende të tjera të rajonit, Basha i cilësoi keqinformime dhe u bëri thirrje medieve të mos bien pre e atyre mashtrimeve që, sipas tij, bëhen për qëllime të pastra politike. “U bëj thirrje mediave që të mos bien pre e atyre që dëshirojnë të marrin peng procesin vital të heqjes së vizave dhe ta vënë para protestave që kanë paralajmëruar”, - vijoi ai. Ministri Basha përshëndeti gjatë fjalës së tij raportet ndërkombëtare, të cilat dëshmojnë qartë se Shqipëria nuk është më një vend domethënës në rrugët e transitit të drogës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›