E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokurori kap hajdutin, po i vidhte shtëpinë

27/04/2010 Altin Gucaj vodhi dy ora, bizhuteri dhe celularët e prokurorit të akuzës së Tiranës

TIRANE- Një prokuror i Prokurorisë së Tiranës ka rënë pre e grabitësve, të cilët pak ditë më parë kanë hyrë në banesën e tij që ndodhet në zonën e ish-bllokut nga ku kanë mundur të marrin dy ora, disa bizhu dhe aparatet telefonike. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit ku grabitësi Altin Gucaj nga Vlora, por banues në Tiranë, ka arritur të hapë dritaren e banesës së prokurorit. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë akuzës shqiptare, të cilat thanë se nëpërmjet dritares që ndodhej në katin e dytë, Gucaj ka hyrë në banesë, ku në ato momente prokurori me inicialet S.H, bashkëshortja dhe fëmijët e tij ishin në gjumë. Duke përfituar nga kjo situatë, Altin Gucaj ka depërtuar në njërën nga dhomat dhe më pas aty ka grabitur, dy ora, disa bizhuteri dhe aparatet celularë. Në tentativë për të gjetur diçka më të vlefshme, grabitësi është pikasur nga prokurori, dhe që prej këtij momenti Gucaj ka kërkuar të largohet menjëherë nga banesa. Vetë prokurori nuk është frikësuar nga prania e hajdutit në ambientet e banesës së tij, por ai i ka bërë thirrje grabitësit që të ndalojë. Në këto kushte, S.H. ka lajmëruar edhe efektivat e policisë së Tiranës, të cilët kanë shkuar me shpejtësi në vendin e ngjarjes. Mësohet se ata kanë kryer arrestimin në flagrancë të Altin Gucaj duke e shoqëruar atë nga banesa e prokurorit në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë. Në cilësinë e provës materiale agjentët e policisë, i gjetën dhe sekuestruan dy ora, bizhuteritë dhe aparatet celulare që i përkisnin familjarëve të prokurorit. Nga kryerja e veprimeve hetimore rezultoi se Gucaj ishte dënuar edhe një herë tjetër për të njëjtën vepër penale. Ndërkohë që për të kryer dokumentimin e plotë të ngjarjes prokurori me inicialet S.H ka dhënë deklarime përpara oficerëve të Policisë Gjyqësore, ku ka treguar të gjitha detajet e pikasjes dhe ndalimin e grabitësit. Procedurës së dhënies së deklarimeve i është nënshtruar edhe autori i krimit, i cili përpara oficerëve ka pranuar autorësinë e krimit, por ka shtuar se nuk e dinte që banesa ishte e prokurorit. Aktualisht çështja në ngarkim të tij i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës, e cila pak ditë më parë i kërkoi gjykatës vendosjen e masës së sigurisë “arrest në burg” për personin nën hetim Altin Gucaj. Ndaj këtij të fundit Prokuroria e kryeqytetit ka ngritur akuzën e “vjedhjes”, vepër penale kjo që parashikon dënimin e autorit me burgim nga tre muaj deri në tre vjet.

Konstatimi në banesë

Prokurori me inicialet S. H. ushtron prej vitesh detyrën e tij pranë Prokurorisë së Tiranës. Në kushte të papritura ai është gjendur përballë një personi që po grabiste banesën e tij që ndodhet në ish-zonën e bllokut. Menjëherë ai ka lajmëruar policinë e Tiranës, të cilët kanë kryer ndalimin e shtetasit Altin Gucaj. Ky i fundit nuk ka bërë rezistencë ndaj momentit të arrestimit, por përkundrazi i është dorëzuar vetë policisë, duke pranuar edhe autorësinë e krimit.

Precedenti i gjyqtares

Në muajin korrik të vitit 2009, grabitësit arritën të vjedhin banesën e gjyqtares së Gjykatës së Apelit Korçë, Entela Prifti. Në këtë periudhë Prifti ishte përzgjedhur nga Presidenti edhe si anëtarë në Kolegjin Zgjedhor ku shqyrtoheshin ankesat e kandidatëve që kishin garuar në zgjedhjet e 28 qershorit. Persona të armatosur kanë hyrë me dhunë në banesën në katin e gjashtë të një pallati në qytetin e Korçës. Fill pas ngjarjes policia arrestoi autorin Daniel Dauti.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›