E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Prokuroria ka fshehur plumbat e marra nga trupi i viktimave

02/02/2011  Ministri i Brendshëm dëshmon para komisionit hetimor të 21 janarit

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, duke folur pasditen e djeshme përpara Komisionit Hetimor të ngjarjeve të 21 janarit ka bërë publike dyshimet e tij për hetimin që po kryen Prokuroria e Përgjithshme. Dhe në këtë kontekst, Basha deklaroi dje se prokurorët që kanë marrë përsipër hetimin e vrasjes së tre protestuesve të premten e 21 janarit, kanë fshehur një nga tre predhat që ndodhej në trupin e njërit nga viktimat. “Ka pasur disa veprime, të cilat më vonë janë konsideruar të pajustifikueshme nga oficerët e Policisë Kriminale. Si për shembull administrimi i predhave të gjetura në trupat e viktimave nga prokurorët, nëpërmjet marrjes e futjes së tyre në xhep. Marrja e rrobave dhe kyçja e tyre në një kasafortë speciale, e cila hapej vetëm me çelësin e prokurorëve”, – dëshmoi ministri. Më pas i detyruar nga kryetari i Komisionit Hetimor për 21 janarin, Eduard Halimi, ministri Basha bëri dhe një sqarim më të detajuar të kësaj akuze ndaj organit të akuzës. Duke pohuar se ky informacion i është raportuar atij nga Policia e Shtetit, Basha tha se “Ky informacion më është raportuar nga persona, të cilët janë të gatshëm të japin dëshminë e tyre me shkrim, ose verbalisht para jush, se prokurorët e çështjes kanë administruar predhat e gjetura në trupat e viktimave. Nuk e di nëse bëhet fjalë për një apo të treja predhat, ku me sa di unë ka pasur nga një predhë për çdo viktimë. Dy predha janë gjetur, predha e tretë nuk është gjetur. pra janë administruar dy predha për tre viktima. Dhe të paktën për një rast predha është administruar nga prokurori, dhe në këtë rast predha është futur në xhep. Pra, është marrë në xhep, pa iu bërë fare procesi i analizës së autopsisë”,- dëshmoi Lulzim Basha.

Rrobat e viktimave

Përveç fshehjes së predhave, ministri i Brendshëm, Basha, akuzoi sërish grupin e prokurorëve që po hetojnë mbi vrasjen e tre demonstruesve më 21 janar, se ata nuk kanë bërë asnjë analizë të rrobave të viktimave, por ato mbahen të kyçura në kasafortën e tyre. “Ajo që di tjetër është se rrobat, që janë një provë kyçe në analizën balistike janë mbajtura të kyçura mirë nga prokurorët. Nuk e di nëse bëhet fjalë për ndonjë standard profesional, nuk dua ta paragjykoj këtë si veprim, por me aq njohuri akademike që kam nga kriminalistika që predhat nuk duhet të futen në xhep. Por këtë fakt mund ta shqyrtoni vetë ju. Nuk e kuptoj se pse rrobat nuk i janë nënshtruar ekzaminimit rutinë në të njëjtën kohë me trupat e viktimave, por edhe kjo është një çështje e cila mund të zbardhet”, – tha dje pasdite ministri i Brendshëm Basha, para anëtarëve të Komisionit Hetimor për 21 janarin.

Qëllimi i 21 janarit

Ministri Basha deklaroi se demonstrata e opozitës ka pasur si qëllim kryesor marrjen me forcë të Këshillit të Ministrave dhe largimin e qeverisë së zgjedhur. “Qëllimi parësor ishte marrja me forcë e Këshillit të Ministrave dhe objektivi dytësor ishte shkaktimi i paevitueshëm i viktimave për vazhdimin e kauzës së tyre, vijimin gjendjes së anarkisë duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme”, theksoi ministri.

Basha për Shërbimet

“Më 20 janar SHISH-I njofton se situata është shumë e qetë”

Në lidhje me veprimtarinë informuese para, gjatë dhe pas ngjarjes së 21 janarit, nga ana e Shërbimit Informativ Shqiptar, ministri i Brendshëm Lulzim Basha u përgjigj duke thënë se: “Policia e Shteti i ka kërkuar informacion me shkrim SHISH-it mbi ngjarjen e 21 janarit. Dhe përgjigjja është evidente, ku ai ka kthyer përgjigje “Se SHISH-i është në efiçiencë të plotë, por për momentin nuk ka asnjë informacion në lidhje me ngjarjen e 21 janarit”. Kur ky informacion apo kjo përgjigje pa informacion daton më datën 20 janar”. Basha theksoi se ai personalisht nuk ka pasur komunikim me drejtuesit e SHISH-it para ngjarjes. “Policia e shtetit ka pasur vetëm këtë komunikim që sapo jua lexova. Pas kësaj ka pasur komunikim telefonik për të cilin besoj se jeni vënë në dijeni nga materialet që iu kam dorëzuar juve. Pra përpara ngjarjes nuk ka pasur asnjë komunikim, përveç asaj shkresës që nuk kishte informacion mbi çka do ndodhte një ditë më pas, por SHISH-I lajmëronte me shkrim se situata është shumë e qetë”, – deklaroi Basha. Ministri i Brendshëm ka theksuar se pas njohjes me 6 fletë-ndalimet e nxjerra nga Prokuroria për komandën operative të Gardës së Republikës, e ka cilësuar situatën si të papranueshme. “Eliminimi i komandës operative të Gardës do të thotë demoralizim i plotë i të gjithë efektivit dhe është një sinjal i plotë që i çohet policisë. Kjo ishte tërësisht e papranueshme”, tha Basha.

Garda

“Fola me Kryeprokuroren dhe i shpjegova situatën që mund të çonte në një përshkallëzim të situatës. I kërkova sqarime duke i thënë se ishte e pajustifikuar dhe e dëmshme që e gjithë komanda operative të ndalohej. Më mori më vonë në telefon dhe më tha se duhet të pyeteshin secili prej tyre”, – u shpreh ministri.

Ndërmjetësimi

“Me ndërmjetësimin e një vendi partner në NATO u ra dakord që të 6 komandantët të pyeteshin dhe të ktheheshin në detyrat e tyre. Pavarësisht marrjes së tyre në pyetje, pala tjetër refuzoi marrjen e deklaratave me shkrim dhe insistoi në ndalimin e pjesshëm të tyre”, theksoi Basha.

Tubimi

“Ndonëse ky tubim kishte marrë përmasa kombëtare, mitingu dhe masa e njerëzve që sapo u vendos para forcave të rendit nuk u angazhua në një asnjë parullë politike dhe nuk pati fjalim, por nisi dhuna. Pa asnjë provokim dhe pa asnjë paralajmërim”, – tha Basha.

Provat e policisë

Gjatë provave të mbledhura nga Policia e Shtetit ka rezultuar se personat që sulmuan Kryeministrinë. “Kishin shuma rreth 200 mijë lekë, kryesisht në prerje euro, kjo tregon se grupi që mori pjesë në sulm ishte i paguar”, deklaroi Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›