E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për herë të parë strehim do të përfitojnë edhe çiftet e reja

02/02/2011  Fondet e Bankës Evropiane dhe buxheti i shtetit do të strehojnë 250 familje

KORÇE- Gjatë 20 viteve të fundit numri i lartë i familjeve të pastreha të qytetit të Korçës ka qenë dhe vazhdon të mbetet një nga problemet më të mprehta të këtij komuniteti. Megjithatë, duket se viti 2011 do të jetë një nga vitet që do të shënojë numrin më të lartë të të strehuarve. Një pallat me 35 apartamente sapo ka përfunduar, ndërsa 96 apartamente të tjera janë në përfundim e sipër. Ngritja e banesave u mundësua fal fondeve të akorduara nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe nga fondet e buxhetit të shtetit. Ndërkaq Bashkia e qytetit të Korçës ka kontribuar me sigurimin e truallit, projektin dhe infrastrukturën. Tashmë pritet ngritja e Komisionit të Strehimit pranë Bashkisë Korçë dhe i Komisionit të Këshillit të Bashkisë së këtij qyteti, të cilët do të bëjnë të mundur shpërndarjen e apartamenteve. Ndërkaq familje të tjera do të përfitojnë strehim përmes kredive të lehtësuara dhe kredive me interes zero, të cilat jepen nga shteti. Aktualisht mendohet se numri i të strehuarve do të shkojë në 250 familje. Për herë të parë përfitues të strehimit do të jenë edhe çiftet e reja, çka do të thotë se familje të tilla mund të aplikojë dhe ndërkohë të jenë përfituese të një banese.

Përfituesit

Të 35 apartamentet e përfunduara do të jenë në dispozicion të familjeve të pastreha, të cilat kanë të ardhura të mjaftueshme për shlyerjen e kësteve të kredisë, ndërsa për 96 apartamentet e tjera, prioritet do të kenë ato familje që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme, si dhe familjet që kanë probleme të njohura sociale dhe shëndetësore. Ndërkohë nga kreditë me interes zero do të përfitojnë familjet që jetojnë në shtëpitë e ish- pronarëve, sepse në qytetin e Korçës, numërohen rreth 220 familje që jetojnë në banesa të kësaj kategorie. Tashmë pritet që puna e komisioneve të strehimit të jetë sa më dinjitoze, me qëllim që përfitues të jenë ato familje që jetojnë në kushte tepër të vështira, pasi deri më tani numri i kërkesave për strehim ka shkuar në 2000 familje. Në këtë ndarje apartamentesh pritet që përfituese të jenë dhe familjet e komunitetit rom dhe egjiptian, të cilat janë të njohura për problemet e tyre sociale dhe shëndetësore.

Çiftet e reja

Përveç 131 apartamenteve që do të shpërndahen së shpejti, familjeve të pastreha po u vihet në ndihmë edhe përmes kredive të lehtësuara dhe kredive me interes zero, të cilat sigurohen nga shteti. Nëse për tërheqjen e kredive pa interesa, prioritet kanë pasur familjet që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve, te kreditë me interesa të lehtësuara mund të aplikojnë edhe çiftet e reja, të cilat figurojnë të pastreha ose kanë dalë si të tilla fill pas martesës. Deri më tani për kredi me interes zero është aplikuar nga rreth 70 familje, ndërsa konstatohet se familje të tjera po e shohin me interes tërheqjen e kësaj kredie. Megjithatë, kredia e lehtësuar mbetet një mundësi mjaft e mirë edhe për çiftet e reja. Burime pranë zyrës së Strehimit pohuan se deri më tani, për kredi të lehtësuar kanë aplikuar vetëm 25 familje, gjë që do të thotë se edhe për çiftet e reja mbetet një mundësi e hapur.

Komisionet

Nisur nga përvoja e deritanishme, komisionet e Këshillit të Bashkisë për shpërndarjen e apartamenteve janë udhëhequr nga kritere të përcaktuara nga ligji dhe nga kriteret të përcaktuara nga Këshilli i Bashkisë, çka do të thotë se mundësia e abuzimit mbetet e vogël, por megjithatë, familjet e pastreha që jetojnë në kushte të vështira, do t’u duhet të jenë të vëmendshme, nëse emri i tyre është i afishuar në listat paraprake ose jo, pasi vetëm në këtë fazë mund të bëhen ankesa dhe problemi të marrë zgjidhje, pasi në të kundërt, nëse lista i kalon për miratim Këshillit të Bashkisë, gjithçka mbetet e vështirë për të zgjidhur një padrejtësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›