Basha: Qytetarët, deri në 60% më shumë para për shërbimet mjekësore

TIRANË, 24 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë takimeve për programin, me ekspertë të fushës dhe grupet e punës, ka diskutuar në mbledhjen e radhës projektin e PD për shëndetësinë.
Kreu demokrat dha në rrjetet sociale detaje të këtij programi.
“Me ekipin e shëndetësisë diskutuam për planin tonë që do t’u mundësojë qytetarëve shërbim shëndetësor me cilësi dhe shpejtësi”, theksoi Basha.
“Ndërkohë që miliona euro është fatura korruptive e koncesioneve në shëndetësi, sot shqiptarët shpenzojnë deri në 60% më shumë para nga xhepi për shërbimet e trajtimet mjekësore. Kjo është shifra më e lartë ndër vendet e Ballkanit, çka tregon gjendjen e vështirë në sektorin e shëndetësisë”, u shpreh Basha.
Po kështu, vijoi kreu i PD, “qytetarët po vuajnë pasojat e medikamenteve jo cilësore ndërsa në listën e barnave të rimbursuara janë futur ato më të lirat, që kanë më pak efekt. Një tjetër problem është mungesa e aparaturave dhe koha e gjatë që u duhet të presin pacientët për ekzaminime”.
“Me paratë që janë abuzuar me koncensione, PPP e tendera, çdo qeveri e përgjegjshme do të kishte ofruar një shërbim cilësor për pacientët aty ku jetojnë dhe do të kishte përmirësuar kushtet e punës dhe ato financiare të stafeve mjekësore”, shtoi Basha.
“Eksodi i mjekëve nuk ndalet duke i “burgosur” në Shqipëri, por duke u krijuar kushte dhe mundësi për një jetë dinjitoze, për rritje profesionale dhe kushte për të ushtruar profesionin e tyre”, nënvizoi më tej Basha.
Basha theksoi se, “të gjitha problematikat janë adresuar në mënyrë të detajuar, duke ofruar zgjidhjet e nevojshme që kontributet për sigurimin shëndetësor që qytetarët kanë paguar, të mos shkojë dëm dhe ata të kenë shërbim shëndetësor në çdo kohë dhe barna cilësore për trajtimin e sëmundjeve të tyre”.
1 nga 10