E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Qytetarët e refuzuan me votë konfliktin politik që sponsorizoi Rama, do ta refuzojnë sërish më 23 qershor

18-04-2013 / Gazeta 55

Skenari i destabilizimit/Pas kërkesës për shkarkim të kryetarit të Këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti, njerëzit e Ramës marrin peng ndihmën ekonomike për njësinë bashkiake numër 4. Këshilltari i PS Ylli Ferza: “Distancohem nga PS dhe kolegët e mi socialistë, për vendimet bllokuese”

Në një prononcim për mediat gjatë inspektimit të punimeve në shkollën “Ahmet Gashi”, Lulzim Basha ripërsëriti edhe njëherë faktin se ish-kryetari i bashkisë së kryeqytetit Edi Rama kërkon që ta kthejë Bashkinë e Tiranës në një arenë të konfliktit politik. Por Basha tha se, Bashkia e Tiranës i ka të gjitha kapacitetet dhe instrumentet për të vazhduar me të gjitha projektet e shpalosura para qytetarëve, duke garantuar ekzekutimin e tyre. “Qëndrimet e djeshme nuk kanë të bëjnë me Bashkinë e Tiranës. Ato vijnë pas vendimit të Parlamentit të hënën në mbrëmje. Janë vendime thjesht politike. Nga kjo pikëpamje më vjen keq të konstatoj përsëri që e vetmja strategji e ish-kryebashkiakut Rama në raport me bashkinë, qytetin, banorët e Tiranës, është strategjia e konfliktit politik, e instrumentalizmit të Bashkisë si një armë e konfliktit politik. Sot afro 20 muaj pas heqjes së kësaj axhende nga tavolina e Kryetarit të Bashkisë dhe përkushtimit për projektet që preokupojnë jetën e qytetarëve të Tiranës, pavarësisht bindjeve të tyre politike, Tirana është shndërruar në një kantier. Shumë prej veprave janë në punë e sipër, vepra të tjera presin të nisin së shpejti, ndaj nga kjo pikëpamje, strategjia e rikthimit të konfliktit politik në një moment të tillë, nuk ka të bëjë vetëm me Bashkinë, por me 23 qershorin, datë kur qytetarët e Tiranës do të duhet të vendosin nëse do ti rikthehen thithjes së pluhurit, baltosjes dhe mjerimit të konfliktit politik apo do të vazhdojnë përpara me projektet që kemi nisur”, u shpreh Basha.
Ndërkaq përfaqësues të PS-së dhe LSI-së pritet të dorëzojnë kërkesën e shkarkimit të kryetarit të këshillit, Kosovrasti. Pas votimit në Kuvend që pasoi me shkarkimin nga posti i anëtarit të KQZ-së të përfaqësuesit të LSI-së, Ilirjan Muho, këshilltarët e LSI-së në Bashkinë e Tiranës zhvilluan dje një mbledhje e cila sipas tyre synon të vendosë balancën në pushtetin vendor.
Kronika nga mbledhja e Këshillit Bashkiak të Njësisë Bashkiake nr.4/PS dhe LSI po tentojnë me çdo kusht të bllokojnë vendimmarrjen e këshillave bashkiakë. Pak ditë pas zyrtarizimit të “koalicionit të ri”, dy forcat e majta paralajmëruan bashkimin e këshillave aty ku kalojnë në shumicë, thjesht e vetëm për të paralizuar funksionimin e njësive vendore. Por, kjo gjë nuk ka ndodhur në Njësinë Bashkiake nr. 4 në kryeqytet, aty ku dje, këshilltari socialist dhe njëherazi nënkryetari i minibashkisë, Ylli Ferza s’është pajtuar me vendimin e Partisë Socialiste dhe këshilltarëve të saj, për të bllokuar miratimin e buxhetit, duke shpallur kështu largimin e tij nga grupi i këshilltarëve të PS.
Ai dënoi aktin e kolegëve të tij dhe atyre të LSI si dhe u bëri thirrje anëtarëve të tjerë, të distancohen nga këto sjellje të padenja që dëmtojnë interesat e qytetarëve.
“Unë distancohem nga Partia Socialiste dhe nga kolegët e mi socialistë, për vendimin e bllokimit të buxhetit. Mosmiratimi është gabim i madh se janë gjithë ata njerëz që presin ndihmë ekonomike. Unë mendoj se si qytetarëve të rrisim vlerat e qytetarëve, ndaj dhe ne mbledhjen e sotme u tregua se në PS mungon demokracia, ndaj unë u distancova, besoj se shokët socialistë të distancohet”, tha nënkryetari i Njësisë Bashkiake Numër 4.
Ndërkaq, kreu i Njësisë Bashkiake Numër 4, Hysen Xhura, dënoi aktin bllokues të e këshilltarëve të PS dhe LSI duke e cilësuar atë si veprim politik, në kurriz të qytetarëve për të cilët janë votuar. “Presim ndihmën ekonomike janë 500 familje, sot u bllokua dhe buxheti i Njësisë Numër 4 për investime, nuk është bërë për 11 vjet. I bëj thirrje këshilltarëve të PS dhe LSI të mendojnë për interesat e qytetarëve, falënderoj nënkryetarin e PS në Këshill që u bashkua me PD. Ju them këshilltarëve të PS-së dhe LSI-së që na kanë votuar ti shërbejmë qytetarëve jo ti bojkotojmë. Vendimi është politik. Ne do e thërrasim prapë Këshillin, ne nuk do ndalojmë së reshturi për të mbrojtur interesat e banorëve të Njësisë Numër 4. Ne jemi pushtet vendor dhe jemi në shërbim të qytetarëve dhe jo politikës”, tha ai.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›