E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ka doktor që ta shërojë agresivitetin e Ramës

18-04-2013 / Nga Kostaq Xoxa

Nga një deklaratë për mediat e 13 prillit

Kur Edi Rama u bën lavde SHBA-ve, fytyra e tij është ngërdheshëse dhe gjestikulacionet e tij, këmbë e duar e gishta të duarve, aktivizohen në mënyrë të panatyrshme, sikur kërkon t’u thotë enveristëve të kamufluar ose të hapur: - Unë jam me ju, qetësohuni, krimet tuaja në kohën e Enverit do të jenë mot e jetë të pandëshkuara; sa të jem unë në shërbimin tuaj, s’ka për t’u  bërë asnjë lustracion... Sa për lavdet që u bëjmë ambasadorëve euroatlantikë, ju e dini mirë se ashtu na e do puna. A nuk ka qenë Gramozi   në mitingjet tona paqësore, me ato paret tona (që i shpërndante i depolitizuari sindikalist me borderó), që  ulërinte se të huajt amerikanë na u bënë rrodhe nëpër këmbë? Tani e kemi, në Asamblenë Kombëtare, partiak të lartë. Siç kemi po në këtë organ edhe të depolitizuarin tjetër  Dhori Sollakun, që ishte Prokuror i Përgjithshëm. Ky partiaku ynë i lartë në PS, dikur u bë shkas që ta penalizonte rëndë, me vendim presidencial, Muhon tonë të tanishëm, për atë broçkullën e daljes nga burgu të një dënuari me burg të përjetshëm. Po sot? Bash ky Muho na duhet që t’ia varim ujkut mëlçitë në qafë e t’i  mundësojmë të dëlira KQZ-të tona që zgjedhjet e 23 qershorit që të jenë ligjshme dhe të drejta (si drapri – me çekan apo pa të, kjo s’ka rëndësi-) që t’i fitojmë zgjedhjet në tavolinë. Epo na ka dalë se na ka dalë nami që të marrim edhe disa nga tertipet e Tarasit, që dinte t’i bënte zgjedhjet si s’ka më mirë, me përfundime entuziazmuese. Siç kemi thënë, që të mobilizojmë qelbësirat, që vetëm të fitojmë më rezultate referendare! Do të spërkatim me ujë të bekuar edhe Barjabat, se qëllimi i shenjtëron mjetet! Të arrijmë, me çdo kusht, fitorjet me strategjitë dhe taktikat e të paharruarit!
Tani Rama, ky ‘transparent’ i dyerve të mbyllura në obskuritetin e ambienteve të tij, ku militantët që bllokonin dyert e prishnin kamerat e gazetarëve, pasi e asfiksoi LMN-në brenda radhëve, merr nëpër gojë, me fraza vulgare, kundërshtarët politikë.  Përmend edhe atë tetëvjeçarin kur PD-ja ishte në opozitë, të cilin ky parvëny e kishte përshkruar me penelata zifti e me urrejtje të papërmbajtura (në 2005-n), sa për t’ia marrë kryesinë e PS-së paraardhësit. Rama, duke akuzuar kundërshtarët e tij se ‘i kanë vjedhur programin!’ (kur i është vënë në dukje brenda radhëve se njëri ndër shkaqet e humbjes së përhershme e të vazhdueshme, ka qenë mungesa e programeve të veta), ai edhe “Rilindjen” e tij që do të bëjë çudira, e ka përvetësuar nga “Rilindja demokratike”, gazeta e parë pluraliste, në qarkullim edhe sot. Në këtë deklaratë të 13 prillit, E. Rama ka përdorur të folurit e tij me mllef të zi, duke e përcaktuar ‘Saliun’ si “maniak recidiv”. E duke na sjellë në kujtesë  – pa dashjen e tij – kartelat e tij psikiatrike. Po në ç’debate për zgjedhjet e 23 qershorit do të vemi, me këtë gjuhë të të tij të shthurur  kur fjala “Zoti X” është tërësisht e munguar? Për më tepër zotin Lulzim Basha e cilësonte si “Lulzim Saliu”, kur kandidati që fitoi bashkinë e Tiranës e quante përherë e vazhdimish, ‘z. Edi Rama’. Kështu e cilëson edhe z. Kastriot Islami, - me ‘z. Rama’, - i cili, në intervistat e 16 prillit, në mbrëmje, bën fjalë për kërcënime me anë të llumit të militantëve të Ramës, kundër familjes, familjarëve, madje edhe fëmijëve. – Le të merret me mend sesi do të vepronte z. Rama, po të kishte fuqinë e një kryeministri dhe sesi do të ndjeheshin ata që binin ndesh me mendimin e tij, nëse do të arrinte të vihej në krye të ekzekutivit, - tha z. Islami, që kishte votuar në Parlament, jo siç kishte urdhëruar kryetari i PS-së. Islami kishte vënë në dukje edhe grushtin e hekurt ndaj Lëvizjes për Mendimin Ndryshe. Ky Ramë , të cilit i thoshte mendja se zhduku kriminalitetin me anë të llangosjeve të fasadave, tani  dashka të na vërë përpara një dukurie të ré, të rrezikshme: të kërcënimit me anë të turmave të banditëve pa din e pa iman nëpër mjedise apartamentesh, për revanshe satanike kundër mendimit ndryshe. Viktimë e kësaj katrahure sociale alla-Rama, që po na përshfaqet në horizont si një e keqe e pritshme, ka rënë qysh tash majtisti me vizion perëndimor dhe nga më të diturit e PS-së, z. Kastriot Islami, të cilit po i traumatizohen edhe fëmijët. E shprehu këtë fatkeqësi të përbindshme, me aujtor ‘ zotin Rama’ në “abc neuws” me një qetësi të admirueshme. Por Bogdani e paraqiti më me nerv në TV-të tona, si një luftë shkallësh dhe apartamentesh, të projektuar nga një i papërgjëegjshëm si Edvini...  
Më tej ky ‘leksikograf’ i përçartur (E. Rama) përdor mbiemrin e sajuar prej tij, “të troçta”! Është thënë prej kohësh se ky megaloman është shkatërrues i shqipes së njësuar. Dëshmitar për këtë, është “Kurbani” i tij, për të cilin kritika letrare ka heshtur. “Kush merret me ‘të!”. Meqë shumëkush nuk e kupton këtë mbiemër (i troçtë, të troçta), sqarojmë se shprehja “Thirrjet e partnerëve të mëdhenj janë të troçta” mund të redaktohej, thjesht, në “Partnerët e mëdhenj e kanë shprehur troç mendimin e tyre se...”.  Por ai nuk pranon të redaktohet, me trutë që i kanë dalë nga kafka dhe janë përplasur në tavan! Kërkon të jetë kurdoherë ‘origjinal’, në kuptimin më të keq të fjalës. Kështu rrëshqet edhe në mendimet e tij të pakontrolluara si “të bashkojmë të gjithë qelbësirat për të rrëzuar Saliun”, apo si “mjafton të bëhem edhe disa minuta kryeministër!”. Kur ishin të gjitha mundësitë që të fitonim statusin e vendit kandidat për në BE, mjafton që të miratonim të tri kërkesat e parashtruara nga komuniteti europian, ai shtoi, kërcu përmbi samar, edhe një të katërt, atë problematikën vendore të Fierit, që nuk kërkohej nga faktori ndërkombëtar europian dhe që, për më tepër ishte edhe në proces gjyqësor! Dhe s’e ka për gjë që të na mbushë mendjen se ishin të tjerë dhe jo ai, që na la jashtë kësaj mundësie...
Ëndrra e tij donkishoteske, por edhe djallëzore, për t’u bërë kryeministër, e ka çuar këtë jopolitikan (shprehje e tij, kjo), që të prishë të gjitha bizneset e huaja që ka jetësuar ‘Saliu’. Kjo ka një qëllim antikombëtar. Të bëhet kryeministër pa derman, pa lé që biznesmenët e huaj do t’i largohen nga sytë këmbët vendit tonë, duke djegur të ardhurat për mirëqenien e këtij vendi, siç dogji edhe milionat e eurove me mosmiratimin konsensual të të tri kushteve t BE-së. Si pasojë e këtij këndvështrimi nihilist ekonomik, papunësia në ‘programin’ pa program të Ramës do të rritet dhe zhvillimi do të mbetet si në atë tetëvjeçarin socialist që ai vetë e kishte quajtur “të mallkuar”. “Après moi, le déluge” (pas meje, kiameti u bëftë), siç kishte thënë ai Luigji i Francës. Por elektorati i sotëm është ndërgjegjësuar edhe më tepër. Dhe s’ka ndërmend të eksperimentojë edhe më tej me fatkeqësitë që na kanë rrjedhur nga  një mendësi anakronike, që na është injektuar nga indoktrinimi diktatorial i Enver Hoxhës.  

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›