Berisha: Japonia do ndihmojë Shqipërinë, në fushat që do identifikohen si prioritare
Kreu i qeverisë Sali Berisha, menjëherë pas kthimit nga vizita zyrtare në Japoni, zhvilloi dje një konferencë shtypi ku ka informuar rrethe takimeve të rëndësishme të zhvilluar në vendin e largët të Azisë lindore dhe cështjet në të cilat janë fokusuar bisedat me krerët e lartë të shtetit japonez. Kryeministri Berisha deklaroi se vizita zyrtare e zhvilluar në Japoni ka hapur një udhë të re në intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të rëndësishme ekonomike dhe në fusha të tjera ku vendi ynë synon të përparojë dhe të arrijë standardet e kërkuara nga ndërkombëtarët. Në këtë drejtim, Berisha theksoi se Japonia ka shprehur angazhimin konkret për një mbështetje akoma më të madhe ndaj vendit tonë. Duke informuar mbi vizitën e tij disa ditore në Japoni, Kryeministri Berisha shprehu falënderimet më të përzemërta dhe mirënjohjen më të thellë për audiencën që i rezervuan në Pallatin Perandorak, Perandori i Japonisë, Madhëria e tij Imperial Akihito dhe Perandoresha, Madhëria e saj Imperiale Michiko. Në këtë drejtim, Kryeministri vuri në dukje se “gjatë takimit u dëshmua një respekt i veçantë për arritjet në Shqipëri, ndërkohë që shqiptarët kanë miqtë më të mëdhenj, te Madhëria e tij Imperial Akihito dhe Perandoresha, Madhëria e saj Imperiale Michiko”. Gjithashtu, Kryeministri shprehu mirënjohjen edhe për homologun e tij japonez, Yasua Fukuda, për pritjen e shkëlqyer dhe shumë miqësore, si dhe darkën zyrtare që ofroi për delegacionin shqiptar.“Dua t’i shpreh atij falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë për vlerësimin e madh që bëri për reformat e qeverisë shqiptare, si dhe për ndihmën tejet të çmuar që Japonia i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre 15 viteve, në të gjitha fushat”, deklaroi Kryeministri Berisha. Në këtë kuadër, ai vlerësoi edhe ndihmën shumë të madhe që ofrohet nga Japonia me një kredi pothuajse pa interes, prej 110 milionë dollarë, për sa i përket një prej projekteve më të mëdha të vendit, kanalizimit dhe ujërave të zeza të Tiranës, por edhe angazhimin për të shqyrtuar me përparësi një seri projektesh të tjera të mëdha në fushën e energjetikës, infrastrukturës, arsimit dhe shëndetësisë. Kreu i qeverisë Berisha vlerësoi gjithashtu edhe mbështetjen që qeveria japoneze i jep përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe NATO, si dhe kontributin e madh që Japonia jep për paqen dhe stabilitetin në botë dhe në rajonin tonë në veçanti. Kryeministri vuri në dukje se një vend të rëndësishëm zuri inkurajimi i investimeve japoneze në Shqipëri, ku mori angazhimin që qeveria dhe agjencitë respektive japoneze do të inkurajojnë kompanitë e mëdha japoneze, për të investuar në vendin tonë. “Dua të falënderoj me mirënjohje Kryetarin e Dhomës së Parlamentit japonez, Johei Kono dhe Presidentin e Senatit japonez, Eda Satsuki, për pritjen e ngrohtë dhe miqësore si dhe për ndjenjat e respektit që ata shprehën për kombin dhe vendin tim. Një falënderim të veçantë dua t'i bëj ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Akiro Amari, ministrit të Financave, Fukushiro Nukaga, Kryetarit të Organizatës së Tregtisë së Jashtme të Japonisë, Yasuo Hayashi, Guvernatorit të Bankës së Japonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Koji Tanamin, si dhe Presidentes së JICA, Sadako Ogata”, u shpreh më tej shefi ekzekutivit. Më tej, Kryeministri shprehu mirënjohjen edhe për ndjenjat jashtëzakonisht miqësore ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve nga ana e Kryetarit të Nderit të Lidhjes Parlamentare shqiptaro- japoneze, ish- Kryeministrit, Yoshiro Mori, por edhe për Konsullin e Nderit të Shqipërisë në Japoni, Tobita Hidekazu, i cili së bashku me Ambasadorin e Japonisë në Romë, Nakamura, kishin bërë një punë të shkëlqyer për organizimin e përsosur të kësaj vizite. Berisha vuri në dukje se gjatë takimeve, të gjithë këta zyrtarë të lartë të qeverisë japoneze u angazhuan respektivisht në fushat e tyre për të intensifikuar bashkëpunimin me Shqipërinë, dhe për të dërguar në Shqipëri ekipet e mbledhjes së fakteve, në mënyrë që të identifikohen fushat në të cilat ndihma e tyre do të mund të jetë më efiçente. Kreu i qeverisë theksoi se Kryeministri Fukuda dhe zyrtarë të tjerë të lartë të këtij vendi e pritën me kënaqësi ftesën për të vizituar Shqipërinë. Kryeministri pohoi gjithashtu se një vend të veçantë në diskutime zuri çështja e Kosovës, ku ka gjetur mirëkuptimin e plotë për qëndrimin e Shqipërisë, se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë, kërkon zbatimin e projektit të Presidentit Ahtisari. “Unë pata një ekses shumë të gjerë në mediat japoneze, ku në një seri intervistash në shtypin më të madh të shkruar dhe mediat elektronike, pata rastin të bëj një ekspoze të hollësishme të zhvillimeve në Shqipëri. Një dimension jashtëzakonisht të rëndësishëm në vizitën time kishte edhe takimi me korporatat japoneze”, deklaroi Berisha. Duke informuar mbi takimet me biznesmenët japonezë, Kryeministri vuri në dukje se paraqiti Shqipërinë si një vend të vogël në hartën e Ballkanit, por njëkohësisht si një vend të vendosur në një treg gjigand siç është tregu europian, me një krah pune më të favorshmin në Europë. “Informova se Shqipëria ka një breg prej 400 km për t'u zhvilluar, ka rezervat e treta apo të katërtat në botë për kromin, dhe është akoma më e pasur në nikel. Është një vend që ka për të shfrytëzuar mbi 20 miliard kilovatorë energji në lumenjtë e tij, pra një vend i vogël që i ofron çdo biznesmeni mundësi shumë të mëdha”, tha Kryeministri.
Kreu i qeverisë konstatoi ndër të tjera se biznesi japonez tregoi një interes shumë të madh për potencialet në Shqipëri, si dhe një vlerësim jashtëzakonisht të lartë për reformat, si për taksën e sheshtë 10 përqind, për sistemin fiskal, për ‘One Stop Shop’ dhe një seri arritjesh të tjera të këtij vendi”. Ndërkaq, Kryeministri Berisha bëri të ditur se gjatë vizitës së tij në Japoni, ka kërkuar që të shqyrtohen mundësitë e dhënies së një ndihme për Kosovën, dhe në këtë kuadër shprehu bindjen se “Japonia mike do të japë kontributin e saj për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon”.
Kompania “Panasonic” ka në plan të kalojë nga shpërndarja në prodhim në Shqipëri/Gjatë vizitës së tij në Japoni, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me përfaqësues të kompanisë “Panasonic”, të cilët vlerësuan rezultatet pozitive të reformave që ka ndërmarrë qeveria dhe se janë të gatshëm që jo vetëm të shpërndajnë por edhe të prodhojnë produktet e saj në Shqipëri. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për suksesin e vizitës së tij në Japoni, takimet me Kryeministrin Fukuda, Ministrin e Financave, Ministrin e Ekonomisë, Presidentin e Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Kryetaren e Agjencisë Ndërkombëtare të Bashkëpunimit me Japoninë (JICA), përfaqësues të lartë të biznesit japonez etj. Kryeministri Berisha i njohu drejtuesit e lartë të kompanisë “Panasonic” me suksesin e reformave që ka ndërmarrë qeveria shqiptare, të cilat e kanë shndërruar Shqipërinë në vendin me barrën fiskale dhe koston e prodhimit më të ulët në Europë. Më tej Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare ka ndërmarrë një revolucion të vërtetë fiskal, me vendosjen e taksës së sheshtë 10 %, uljen e takës për biznesin e vogël, reduktimin e burokracive për regjistrimin e sipërmarrjeve nëpërmjet “one-stop-shop”dhe aplikimit të shërbimeve elektronike. Gjatë takimit drejtuesit e kompanisë Panasonic, i shprehën Kryeministrit vlerësimin e tyre të madh për reformat në Shqipëri, të cilat e kanë bërë Shqipërinë një vend tërheqës për investitorët e huaj. Ata u shprehën se kompania Panasonic ka planifikuar që brenda një kohe të shkurtër të kalojë nga shpërndarja në prodhim në Shqipëri, duke u nisur nga rezultatet pozitive të reformave që ka ndërmarrë qeveria.