E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Siguruam një hyrje krenare dhe frymëzuese në kryeqytetin e shqiptarëve

27-11-2012 / Gazeta 55

Përurohet sheshi “Shqiponja” në hyrje të kryeqytetit, një vepër e realizuar me kontributin e shqiptarëve nga të gjitha trevat. Berisha: “Le të jetë kjo shqiponjë, simboli i fluturimit sa më lart të kombit shqiptar”

Në prag të festës së 100 vjetorit të pavarësisë, kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje pasdite në ceremoninë e inaugurimit të memorialit të Shqiponjës, e cila ka pagëzuar me të njëjtin emër sheshin në të cilin është vendosur.
Me urimin drejtuar mbarë shqiptarëve, për 28 nëntorin, kryeministri Berisha tha se shqiponja dykrenare është simboli i përjetshëm i kombit shqiptar, e cila nga 28 nëntori i vitit 1912, u ngrit nga Vlora heroike për të për të fluturuar përjetë në trojet shqiptare dhe për t’i prirë kombit shqiptar në lartësi gjithnjë e më të mëdha.
“Përshëndes shqiptarët kudo që ndodhen sot, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të zi, në emigracion në Itali, Greqi, Gjermani, SHBA, në diaspore, në mbarë botën që ndjekin me gëzim të madh, vendosjen në kryeqendrën e Shqipërisë të simbolit të tyre të përjetshëm kombëtar, Shqiponjës dy krenare, shqiponjës së flamurit të Skënderbeut, të shqiponjës që do të ngrihej me 28 nëntor të vitit 1912, nga Vlora heroike për të për të fluturuar përjetë në trojet shqiptare, për ti prirë kombit shqiptar në lartësi gjithnjë e më të mëdha”, tha kryeministri. Kreu i qeverisë, Sali Berisha theksoi se vepra dhe përpjekja e paraardhësve për lirinë, është frymëzuese për realizimin e idealit të bashkimit kombëtar. “Le të urojmë ne së bashku me përpjekje të madhe të frymëzuar nga vepra e atyre që bënë të mundur që sot ne të jemi të lirë, të punojmë për të bërë përfundimisht të vërtetë idealin më sublim të shqiptarëve, idealin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve kudo që janë. Le të urojmë ne të rinjve shqiptarë dhe mbarë kombit që të fluturojnë pas shqiponjës gjithnjë e më lart, gjithnjë me dinjitet më të madh, më të lirë, më të bashkuar”, theksoi ai. Kryeministri falënderoi me mirënjohje bashkinë e Tiranës, familjen Destani, dhe ideatorët e veprës që me talentin dhe aftësinë e tyre, iu dhuruan shqiptarëve këtë monument madhështor.
Më pas kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa tha se sot shqiptarët ndihen krenarë, për atë që kanë arritur në këto 100 vite.
“Sot, shqiptarët kudo që janë të gjithë, le të jemi krenarë për të arritur gjatë këtij shekulli të mëvetësisë së shtetit shqiptar! Sot Shqipëria është shtet në NATO, shtet i cili është afër integrimi të Bashkimit Evropian dhe unë jam shumë i bindur dhe të gjithë shqiptarët e Kosovës, se përmbyllja e suksesshme e këtij procesi do të kremtohet kudo me të njëjtin entuziazëm, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni, Kosovën lindore, Çamëri, Mal të Zi, në diasporën tonë dhe anekënd këtij globi”,  u shpreh Mustafa. 
Ndërsa Lazim Destan , biznesmen dhe filantrop i njohur i cili kontribuoi personalisht për realizimin e këtij projekti u ndie fatlum që ka mundur të japë kontributin e tij për tu dhuruar shqiptarëve këtë simbol të çmuar për ta në këtë vit jubilar.
“Fillimisht, dua të falënderoj autoritetet e vendit dhe gjithë qytetarët e Tiranës për realizimin e këtij projekti simbolik të krenarisë sonë kombëtare. Në këtë moment të veçantë për mua dhe familjen time, falënderoj Zotin që arritëm t’ia dhurojmë kombit këtë shqiponjë dy-krenare të cilën çdo shqiptar e ka në zemër”, theksoi Destani. 
Monumenti madhështor, simbolikë në shekuj e kombit shqiptar vjen për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, si një punim dinjitoz i artistëve shqiptarë me autor Albi Çifligun, mundësuar me kontributin financiar të familjes Destani nga Tetova. Memoriali me lartësi 10 metra, vepër e derdhur në çelik të rëndë, e cila peshon rreth 16 tonë, u zbulua për të pranishmit bashkërisht nga kryeministri Sali Berisha, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha dhe nga kryetarët e komunave dhe bashkive të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi,  të cilët u mblodhën së bashku për të festuar këtë ngjarje.

Shqiponja mbledh shqiptarët në kryeqytet, përurohet monumenti në Tiranë

Basha: Shqiponja, simboli i lirisë së kombit

Simboli i kombit shqiptar ,shqiponja dykrenore ka mbledhur përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare shqipfolëse në sheshin te rreth-rrotullimi i Doganës, në hyrje të Tiranës, i cili tashmë është pagëzuar me emrin “Shqiponja”.
Menjëherë pas zbulimit të shtatores së babait të pavarësisë, është zbuluar monumenti i një shqiponje të madhe të vendosur në mes të këtij sheshi.
Numri një i Bashkisë së kryeqytetit ndërsa shprehu mirënjohjen për familjen Destani, për realizimin e kësaj vepre, theksoi gjithashtu se “shqiptarët zgjodhën shqiponjën si simbolin e lirisë, që nuk e vrau dhe nuk e burgosi dot askush në shekuj”.
Kryebashkiaku Basha, e ka cilësuar shqiponjën, simbol force, krenarie dhe lartësie për shqiptarët. “Sot jemi mbledhur këtu shqiptarisht dhe solemnisht, nga çdo kënd ku flitet dhe jetohet shqip, për të nderuar këtë simbol të kombit, në 100 vjetorin e Pavarësisë, këtë simbol që askush nuk e vrau dot në shekuj, që askush nuk e futi dot në kafaz, që askush ndër ne nuk e harroi dhe nuk do ta harrojë në jetë të jetëve! Ky simbol i mungonte Tiranës dhe sot vjen këtu, në këtë 100 vjetor, derdhur në çelik të rëndë, sepse sot jemi më të lirë dhe më të fortë se dje, sepse sot kjo shqiponjë në fushën e kuqe të flamurit tonë, valëvitet më e fortë dhe më e lirë, kudo ku jetojnë shqiptarët”, u shpreh Basha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›