Fyle: Status i kandidatit në BE, i mundshëm për Shqipërinë

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle ka vlerësuar vullnetin e autoriteteve shqiptare për ndërmarrjen e reformave të thella gjatë vitit të fundit dhe ka përsëritur apelin që të merret parasysh rekomandimi i Komisionit Evropian që në dhjetor Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit. Ai ka kërkuar që për marrjen e statusit të mos vendosen parakushte që në fakt i shkojnë më shumë vendimit për çeljen e negociatave
Komisioneri europian për Zgjerimin, Stefan Fule, deklaroi se Shqipëria është ende brenda mundësive për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Këtë qëndrim ai e bëri publik në Zagreb të Kroacisë, ku ishte i pranishëm në punimet e forumit për shoqërinë civile në Ballkanin Perëndimor. Duke argumentuar pse statusi është i mundur, ai vuri në dukje disa përparime që janë bërë në Shqipëri kohët e fundit.
“Shqipëria ka bërë progres të dukshëm gjatë vitit të kaluar, sidomos në marrëveshjen ndërpartiake në procesin e reformave të Bashkimit Europian, si dhe realizimin e një sërë reformash kyçe të përcaktuara në opinionin e Komisionit. Ne nuk po propozojmë ende hapjen e negociatave për anëtarësim, por statusi i kandidatit është brenda mundësive”, deklaroi Fule.
Nga Brukseli është bërë e qartë se hapja e negociatave për anëtarësim do të varet nga zgjedhjet parlamentare të 2013.
Për Komisionerin për zgjerim BE është i hapur në mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe mbështet integrimin e këtyre vendeve. Fyle thotë se para se këto vende të jenë pjesë e Bashkimit europian, duhen plotësuar disa kushte.
“Sfida e parë në qendër të politikës së zgjerimit është sundimi i ligjit. Kjo është edhe tema e paketës së zgjerimit 2012. Vendet që dëshirojnë të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian duhet të fillojë reformat në të sistemimin gjyqësor dhe administratën publike duke siguruar kornizat të forta në vend për të parandaluar korrupsionin. Sfida e dytë horizontale është bashkëpunimi rajonal dhe në Ballkanin Perëndimor. Dhe së treti sfidat ekonomike, përqendrimi në nevojën për të konsoliduar stabilitetin ekonomik dhe financiar, në procesin e pranimit duhet trajtimi i kritereve ekonomike sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.
Sa i përket vendeve të Ballkanit, për Komisionerin Fyle, Kosova është gati të hapë negociatat për marrëveshjen e stabilizim-asocimit dhe se propozimi do të bëhet sapo autoritetet të kenë adresuar disa çështje të identifikuara në disa fusha.
Sipas tij janë për janë për t’u inkurajuar marrëdhëniet dhe lëvizjet e Serbisë në drejtim të Kosovës.
Ndërkohë Komisioneri për Zgjerim Stefan Fyle është shprehur optimist për Kroacinë, ndërsa ka theksuar se në vitin e ardhshëm do të bëhet anëtare e BE.