E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha Statuti i ri i PD garanci per vleresimin e kontributit te cdo anetari

Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij për drejtimin e partisë në Fier, Patos, Mallakastër dhe Kamëz. Zoti Basha ka theksuar se përballë mazhorancës së mashtrimit, vjedhjes dhe shitblerjes së votës siç po e fakton dhe Lezha, Partia Demokratike duhet të jetë e gatshme jo vetëm për t’i bërë opozitë por edhe për të përgatitur platformën që do ta kthejë sa më parë në qeverisje të vendit.
“Deklaruan 300 mijë vende pune. Në fakt kanë hyrë në garë me njëri-tjetrin se kush sjell më shumë militant dhe CV militantësh por nuk kanë ndërmend të na ofrojnë asnjë politikë se si do të punësojnë 300 mijë shqiptarë. Një nga premtimet e para që po shkelmojnë është taksa progresive dhe heqja e taksës për 95 % të shqiptarëve sepse ju e keni vënë re se ka një javë që kanë filluar të thurin lavde taksës së sheshtë të Partisë Demokratike dhe Sali Berishës.

Krahas ngritjes së zërit dhe qëndrimit të fortë për çdo çështje ne na lind sot detyra para kësaj mazhorance të zhbërë nga pesha e mashtrimit, e vjedhjes së votave në Lezhë e kudo tjetër, e shitblerjes së votave e kudo tjetër, që të përballemi me ta jo vetëm nëpërmjet instrumentave normalë të çdo opozite por t’i ofrojmë sot gadishmërinë tonë dhe platformën tonë për t’u kthyer një orë e më parë si forcë qeverisëse e gjithë Shqipërisë”-u shpreh z. Basha.
Zoti Basha e ka konsideruar si prioritetin kryesor të ringritjes dhe fillimit të PD-së vlerësimin e kontributit të çdo anëtari dhe përfshirjen e tij në vendimmarrje. Kjo sipas Bashës do të jetë e sanksionuar dhe në statut.
“Është e domosdoshme që në mënyrë statutore t’i jepet garanci sot në opozitë dhe nesër në mazhorancë që kontributi i çdo anëtari të Partisë Demokratike, i çdo militanti, i themeluesit, i qëndrestarit të përkthehet në mënyrë të barasvlefshme në meritë, në mundësi, në vlerësim sot, në çështjet partiake dhe nesër në administrimin, ndarjen dhe menaxhimin e pushtetit. Ju garantoj se në detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë për mua ky do të jetë hapi i parë dhe më kryesori në punën që na pret”-ka përfunduar Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›