Basha: Të përsërisim sërish Oslon
Mesfushori i skuadrës kombëtare nuk shfaqi rezerva mbi mundësitë e kualifikimit që ka skuadra për të arritur objektivin në kualifikuese
Mesfushori i skuadrës së Shqipërisë, Migjen Basha nuk e shikon aspak pengesë skuadrën nordike, madje thekson se skuadra nuk do të njohë kundërshtarë edhe në sfidat e transfertës. Do të kemi të njëjtin përqendrim si në ndeshjen që luajtëm në Oslo, ku fituam me meritë, ashtu edhe në ndeshjen e Tiranës, ku do të mbështetemi nga një publik i zjarrtë.
Tashmë kemi në mendje vetëm atë ndeshje. Tani kemi disa ndryshime, kjo përsa i përket lojtarëve, por nuk mendoj se ky mund të jetë një problem për të arritur serish triumfin me skuadrën e Norvegjisë, tha Basha. Mesfushori i ekipit kombëtar është i mendimit se asgjë nuk e do e ndalë skuadrën, jo vetëm në përballjen në këtë sfidë, por edhe mbi arritjen e objektivit final.
Nuk shikoj aspak pengesë skuadrën e Norvegjisë, madje nuk e shikoj aspak të vështira as transfertat që do të luajmë më pas. Jam i sigurt se me organikën që kemi në dispozicion, ne mund të fitojmë si në Islandë, ashtu edhe në Qipro, tha Basha. Lojtari i Torinos në Serinë A ka luajtur dy ndeshje me kombëtaren, duke qenë titullar që nga minuta e parë.
Mesfushori shprehu një siguri të madhe gjatë konferencës për shtyp, duke e paraqitur kombëtaren si ekipin që duhej mundur. Jemi një ekip cilësor, i cili mund të fitojë ndaj çdo kundërshtari. Në ndeshjen në Norvegji e paraqitëm këtë cilësi.
Të njëjtën gjë do të arrijmë edhe në këtë sfidë dhe për këtë jam shumë i sigurt, Basha. Mesfushori ka luajtur 12 ndeshje me skuadrën e Torinos në këtë sezon, duke paraqitur një rendiment pozitiv. Lojtari është afruar në ekip nga trajneri De Biazi, i cili ka arritur ta bindë mesfushorin që veshë ngjyrat kuqezi.