E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Tirana, ndihmë Mitrovicës për meremetimin e shtëpive

Bashkia e Tiranës do i bashkohet nismës së komunës së Mitrovicës "Ndihmo dhe ti", e cila ka për qëllim mbledhjen e fondeve për meremetimin e shtëpive të dëmtuara gjatë luftës, në veri të Mitrovicës dhe kthimin në pronat e tyre, të të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike.
 

Në takimin me Kryetarin e komunës së Mitrovicës Avni Kastrati, Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha tha se do i propozojë Këshillit Bashkiak, akordimin e një ndihme financiare për këtë qëllim, sikundër u angazhua për të sensibilizuar edhe njësi të tjera të qeverisjes vendore në Shqipëri, për t`iu bashkuar kësaj nisme.
 

Kryetari i komunës së Mitrovicës theksoi se fondi i mbledhur deri tani nga qytetarët e Kosovës është rreth 2 milionë euro. "1023 është numri i pronave që kërkon ndërhyrje" - tha zoti Kastrati. Duke nisur nga viti i ardhshëm, të gjithë komunat e Kosovës do të ndajnë 5% të buxhetit të tyre për këtë projekt" - u shpreh Kryetari i komunës së Mitrovicës.

Kryebashkiaku Basha e ka vlerësuar këtë nismë si mjaft pozitive, ndërsa ka nënvizuar se çdo përpjekje për të ndarë qytetin, është e papranueshme dhe nuk i shërben stabilitetit në rajon. Kryetari i Bashkisë së Tiranës nënvizoi domosdoshmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit me komunën e Mitrovicës por edhe komuna të tjera shqiptare në rajon.

 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›