E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Edi Rama, më i mirë si kryeministër se sa si kreu i PS

TIRANE - Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, në një intervistë të dhënë dje për emisionin “Arena” të gazetarit Roland Qafoku në “Tv Planet”, deklaroi mes të tjerash, se Edi Ramën e parashikon si shumë më të mirë si kryeministër, se sa në perceptimin që është krijuar për të si kryetar partie.
Kur shkoni në Kosovë, nëpërmjet asaj që quhet Rruga e Kombit, a keni thënë ndonjëherë që “këtë rrugë unë e ideova dhe e bëri Berisha”?
Jo, nuk kam pasur pyetje të kësaj natyre, që, “përse e bëri ky dhe nuk e bëra unë apo nuk e bëri e majta”. Fillimisht kjo ide u konsiderua qesharake, sidomos ideja e tunelit ishte shaka për një pjesë të elitës intelektuale të Tiranës në atë kohë.
A ia çmoni këtë Berishës, z.Majko?
I çmoj guximin.
Po kalojnë një çështje tjetër, e cila po diskutohet tashmë çdo ditë dhe po përdor shprehjen e një kolegu, “hiqeni atë dreq imunitet”...
Unë po ju përgjigjem: “E çfarë është ky dreq imunitet”... Sot çështja e imunitetit është ngritur në një piedestal të paqenë për ta ofruar atë në publik si të ishte standardi i ndershmërisë apo i pandershmërisë së politikanëve, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Sot politikën nuk po e ha imuniteti në pikëpamjen e dyshimeve që një pjesë e rëndësishme e publikut ka për politikën shqiptare. Unë mendoj se ky lloj diskutimi fillon nga një marrëdhënie që një pjesë e klasës politike ka përçuar në sistemin e drejtësisë, në marrëdhëniet me shtetin shqiptar, ndërtimin e një elite, apo në fenomenin e të paprekshmes. Këta të paprekshëm kanë krijuar një histori, e cila nuk ka kaluar pa u vënë re nga publiku shqiptar dhe kjo do të sjellë në vijim një varg problemesh dhe nuk ka të bëjë fare me diskutimin se heqja e imunitetit do të na bëjë më të ndershëm apo më pak të ndershëm, pasi do të ishte naive. Ky është vetëm njëri krah i diskutimit, pasi nga krahu tjetër qëndron problemi i drejtësisë shqiptare, që lë shumë për të dëshiruar. Nëse sot shteti shqiptar ka një problem, është se ai nuk ka një gjykatë apo një prokuror nga i cili të dridhen të gjithë, nga ai që është hajdut xhepi e deri tek ai që shkon me “Benz” në zyrë.
Ju jeni i bindur që ne do ta marrim statusin e vendit kandidat për në BE në tetor?
E kam thënë këtë edhe në publik, mendoj dhe shpresoj me gjithë zemër që kjo të ndodhë.
Si e parashikoni Edi Ramën si kryeministër?
E parashikoj si shumë më të mirë, se sa në perceptimin që është krijuar për të si kryetar partie. Një pjesë e aftësive të tija nuk janë më shumë politike se sa administrative, gjë që brenda partisë mund të krijojnë atë që mund ta quajmë kontradiksion, por në administratë ato do të kenë një kualitet shumë pozitiv, që ka për t’u ndjerë në qeverisje. Kjo do të thotë se jo çdo e keqe në opozitë është e keqe në pushtet dhe anasjelltas. Në këtë kuadër, mendoj se Rama do të sjellë një rifreskim të staturës, siç janë mësuar qytetarët ta shohin qeverisjen në marrëdhënie me ta. Besoj se Rama do të jetë njeriu i vendimeve të forta, një individ i cili do të shkruajë faqen e vet në histori dhe jo në librin e kujtimeve. 

(intervisten e plote mund ta lexoni sot ne Gazeta Shqiptare)
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›