Basha: Tirana, “zemra” e kombit, do i japim të ardhmen që meriton

Përkujtohet 93 vjetori i Tiranës kryeqytet. Kryeministri Berisha përshëndet 93 vjetorin e shpalljes së Tiranës, kryeqytet të Shqipërisë
Shpallja e Tiranës si kryeqytet është kthyer prej dy vjetësh, në një festë për qytetin e Tiranës. Kremtimi i 93 vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet ka nisur me aktivitetin “Qeveria e parë në Tiranën kryeqytet”, organizuar në Akademinë e Shkencave, ku më Më 11 Shkurt 1920, u vendos qeveria e zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës, duke bërë që kjo godinë të shërbejë si parlamenti i parë në kryeqytetin shqiptar.
Në aktivitetin e organizuar nga Bashkia e Tiranës, me rastin e 93 vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, mori pjesë Kryeministri Sali Berisha. Pjesëmarrës në event ishin Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha ministra të kabinetit qeveritar, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe anëtarë të kësaj akademie, pinjollë të anëtarëve të qeverisë së parë në Tiranë, studiues, historianë, qytetarë tiranas, etj.
Kryeministri Berisha e vlerësoi shpalljen e Tiranës kryeqytet, si një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Kryeministri u shpreh se kjo ditë është para së gjithash një kujtesë dhe mirënjohje për të gjithë qytetarët e Tiranës, për virtytin, për atdhetarinë dhe për krenarinë e tyre të dëshmuar, në shndërrimin e qytetit të tyre, në kryeqytetin e vendit.
Kryeministri kujtoi me mirënjohje dhe nderim të thellë të gjithë ata burra të shquar, shtetarë të viteve ‘20, të cilët mes përpjekjeve të jashtëzakonshme dhe rreziqeve të panumërta ndërmorën nga Lushnja, marshimin drejt Tiranës dhe vendosën aty qeverinë e Kongresit të Lushnjës.
Duke hedhur një vështrim të shkurtër në historikun e kryeqytetit, Kryeministri theksoi se Tirana ka qenë dhe mbetet qyteti frymëzues i të gjitha lëvizjeve çlirimtare të shqiptarëve për liri dhe dinjitet, si dhe lokomotivë kryesore e zhvillimit të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.
Kryeministri ka rishprehur angazhimin e tij që në muajin mars të nis ndërtimi i Xhamisë së Madhe, ku qytetaret ti luten Zotit dhe të falen në xhaminë që meritojnë. Po kështu Kryeministri Berisha tha se godina që sot njihet si Teatri i Kukullave por që më parë ka qenë Parlamenti i qytetit të Tiranës, t’i kthehet Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Kryeministri përshëndeti punën e mirë të bërë nga Kryetari i Bashkisë dhe Këshilli Bashkiak për projektet e mëdha, të cilat janë rikthyer, si projektet më të bukura, për dimensionet që kryeqyteti meriton, duke shprehur bindjen se në një kohë të shkurtër, do të fitohet koha e humbur,dhe Tirana sërish do të shndërrohet në një nga qendrat më të bukura, jo vetëm në Shqipëri, në trojet shqiptare, por edhe në rajon e më gjerë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha e ka nisur fjalën e tij me mirënjohje për të gjithë familjet tiranase të cilat e mirëpritën menjëherë qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës dhe çdo qytetar shqiptar që vendosi të ndërtojë të ardhmen e tij në kryeqytetin shqiptar.
Kreu i Bashkisë Lulzim Basha nënvizoi se qyteti ka nevojë t’i shërbehet me sakrificë. ndërsa shprehu vendosmërinë e tij dhe të administratës që drejton për këtë.
Sipas Kryebashkiakut, sa më shumë vlerësojmë sakrificën e patriotëve që themeluan Tiranën kryeqytet, aq më shumë ndriçojmë të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve tanë.
Pjesë nga historia e hyrjes së qeverisë në kryeqytet solli edhe historiania Valentina Duka. Për historianen Valentina Duka, “Në fillim të viteve ’20, në historinë e Shqipërisë u hap një faqe e re, në sajë të elitës së politikës shqiptare të mbledhur në kongresin historikë të Lushnjës, vendosën jo vetëm riaktivizimin e shtetit të pavarur shqiptarë të shpallur në qytetin e Vlorës më 28 Nëntor 1912, por edhe institucionalizimin për herë të parë në Shqipëri të demokracisë parlamentare”.
Sipas saj, një nga çështjet shumë të rëndësishme që u diskutua në këtë kongres ishte edhe ajo e kryeqytetit të Shqipërisë, zgjedhja e të cilit siç e dimë të gjithë paraqiti vështirësi të mëdha”.
Sipas Valentina Dukës, 11 shkurti mbetet data e hyrjes së qeverisë së Lushnjës, në Tiranë.
“Më 11 shkurt në 1920, 93 vjet më parë Qeveria e Lushnjës së bashku me Këshillin Kombëtar dhe Këshillin e Lartë hyri në Tiranë. Me sigurimin e kalimit të autoriteteve të zgjedhura në Kongres nga Lushnja në Tiranë, rol të madh ka luajtur Ahmet Zogu, ministër i Brendshëm i kësaj qeverie, me një grup përkrahësish të tij, të ardhur nga vendlindja e tij nga Mati”, tha Valentina Duka.
Pasardhës të Sulejman Delvinës, imzot Luigj Bumçit, Hoxhë Kadriut etj., sollën copëza kujtimesh nga qeveria e parë e vendosur në Tiranën kryeqytet.
Përfaqësuesi i familjes të Kryeministrit të parë të qeverisë në Tiranën kryeqytet, Sherif Delvina, u shpreh se Kongresi i Lushnjës soli shpëtimin e Shqipërisë.
“Kush e solli shpëtimin e Shqipërisë? E ka definuar shumë bukur Kryeministri, shpëtimin e Shqipërisë e solli Kongresi i Lushnjës. Atje ishin 3 akte madhore: Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Lushnjës dhe Pavarësia, për popullin shqiptar, për historinë tonë. Po mirë, ky kongres kë nxori nga gjiri i vet. Nëntë burra të mençur, të ndershëm e patriotë nxorën kryeministër Sulejman Delvinën. Çfarë cilësish kishte ai? Mençurinë, urtësinë. Kryeministri e ka përkufizuar aq bukur, saqë nuk e ka thënë njeri më mirë deri më sot. I ngjasonte me këto cilësi Ismail Qemali”, u shpreh midis të tjerave, Sherif Delvina
Ndërkohë, në emër të imzot Luigj Bumçit, një prej përfaqësuesve kryesorë të qeverisë së parë që shkeli në Tiranë,fjalën e mbajti Ministri i Kulturës Aldo Bumçi. Sipas Aldo Bumçit, angazhimi i Luigj Bumçit, ishte një detyrim ndaj atdheut.
Duke sjellë kujtime, nga tregimet e paraardhësve të tij, Aldo Bumçi tregoi se, “Ndjenja e përgjegjësisë për ato vite të vështira që kalonte Shqipëria e thirri për t’u bërë pjesë e jetës politike. Pas një farë kohe, nëse drejtpërdrejt apo indirekt, nga Selia e Shenjtë iu tha se duhej të bënte një zgjedhje, ose të qëndronte meshtar, ose t’i dedikohej jetës publike dhe politike shqiptare dhe zgjodhi përsëri të ishte meshtar. Kjo dukej se ishte thirrja e tij më e fortë, thirrja së cilës i dedikoi jetën, pavarësisht se në një moment të caktuar çdo individ pavarësisht nëse është laik, fetar apo jo ka edhe thirrjen e kombit, detyrimin ndaj atdheut. Ai iu përgjigj kësaj thirrjeje, më tej vazhdoi thirrjen e tij individuale dhe bindjen e tij më të thellë”, vijoi më tej Aldo Bumçi.
Nevila Nika, Drejtore e Arkivit të Shtetit, pinjollë e familjes Hoxhë Kadriu, vlerësoi gjithë kontribuuesit e asaj periudhe. Sipas saj, “Nuk i pengoi as bindja e tyre fetare, as prejardhja e tyre krahinore, absolutisht asgjë përpara Shqipërisë. Lanë gjithçka patën kudo ku ishin nëpër botë. U kthyen këtu për ta bërë Shqipërinë, për ta bërë Tiranën kryeqytet e më pas kuptohet”.
Duke ju referuar historisë së Tiranës si kryeqytet, Nevila Nika vlerësoi gjithashtu kontributin e familjeve të vjetra tiranase, të cilat sipas saj, “nuk do t’i harrojmë kurrë. Përballë kam dr. Ndroqi, familja Petrela, familja Tafaj, Kërçiku, Mulleti, Fortuzi, Turdiu, janë shumë, nuk duhet t’i harrojmë kurrë. Kanë dhënë kaq shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët”.
Më tej ajo apeloi edhe se “sot, neve duhet të kujtojmë atë çka bënë qytetarët e Tiranës më 22 mars të 1992-it. Ka qenë një grusht i paparë për ata që e përdhosën këtë qytet, kryeqytetin dhe gjithë Shqipërinë”.