Basha-Çapaliku fillon punën në Teatër Kombëtar
"Allegretto Albania", drama fituese e konkursit kombëtar të dramës shqipe organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve më 2007, ka filluar nga puna në Teatrin Kombëtar. Autori i saj, Stefan Çapaliku, ka tetë vjet që nga koha e "Utopos" që nuk ka vënë ndonjë pjesë tjetër në Teatrin Kombëtar. Kaq vite ka pothuajse edhe regjisori Altin Basha, qysh kur punonte për komedinë "Dashuri në furgon". Basha- Çapaliku po ngrenë në këmbë historinë e një kryefamiljari i ngujuar me familjen për shkak të një krimi që nuk e ka kryer vetë, por për të cilin duhet të përgjigjet në bazë të ligjeve të Kanunit. Duke iu referuar "kritereve" të Kanunit, tek kryefamiljari lindin dilemat: A është ai më i zoti i fisit të tij? Në këtë situatë përzihet edhe një OJQ e huaj e cila në emër të asistencës humane nuk merret me zgjidhjen e problemit, por dhuron për familjen e ngujuar pampers dhe një aparat radiografie. Shto këtu edhe rolin e medias në dramën e familjes. Autorët thonë se "shfaqja do t'i ngjajë një procesi diagnostifikimi mjekësor" nëpërmjet të cilit zbërthehen karakteret dhe "pamjet makabre të disa njerëzve që nuk e kanë zgjedhur fatin e tyre. Atmosferën e përcjell muzika e gjallë e një orkestre ku sejcili instrument përfaqëson një personazh dhe ku të gjithe bashkohen si një familje.
"Allegretto Albania" si produksion i Teatrit Kombëtar, që do të jetë gati për një muaj, ka angazhuar aktorë të trupës permanente dhe si Mirush Kabashi, Ahmet Pasha, Vasian Lami, Olta Daku dhe atë rinj si Gazmend Paja, Xhejni Fama, Klea Konomi. Skenografia dhe kostumet janë të Iliriana Loxhës, muzika e Ramazan Kaponit.
e.d