Sqarimet në shqip duhen ngjitur pikërisht mbi datën e skadencës?
Dy fotot që shoqërojnë këtë shënim, na janë sjellë nga një lexuese nga Tirana, shtëpiake, menjëherë pas një pazari në një nga merkatot e mëdha të kryeqytetit.
Duke qenë se kemi botuar edhe disa ditë më parë një shqetësim të ngjashëm lidhur me datën e skandencës në një prodhim çokollatash, dëshirojmë të sqarojmë se:
"Shekulli-Kontakt" nuk dëshiron të cenojë asnjë biznes privat, të cilat i konsiderojmë si institucionet e pakta që meritojnë vëmendje dhe respekt në Shqipëri. Gjithashtu nuk duam të përgjithësojmë raste të veçuara ose përpjekje të pandershme mes konkurrentësh.
Por me patjetër, duam të tërheqim vëmendjen e autoriteteve shtetërore (më konkretisht atyre që marrin rrogën për kontrollin e produkteve ushqimore në treg), se pakujdesitë ose hiletë që vijnë prej tyre, janë një rrezik që na prek të gjithëve.
Edhe në rastin e denoncuar sot, kemi një produkt ushqimor, që prezanton një problem jo të vogël. Ky produkt dhe disa të tjerë, e kanë fletën e sqarimeve në shqip - të ngjitur pikërisht përsipër datës së skadencës së gdhendur në trupin e kutisë. Në përpjekje për të hequr pusullën sqaruese në shqip, kutia griset dhe data e skadencës zhduket.
Pa paragjykuar askënd dhe asgjë, në emër të lexuesve tanë, bëjmë këtë apel që gjendet edhe në letrën e lexueses që na solli fotografitë:
"...Zotërinj të nderuar që merreni me këtë punë: Ngjiteni pusullën sqaruese në pjesë tjetër të kutisë së produktit dhe jo atje ku na hiqni dashur-padashur, informacionin më të rëndësishëm mbi atë që fusim në gojë: datën e skadencës. Faleminderit për mirëkuptimin!".
Në foto: Pusulla shqip mbi datën e skadencës dhe zhdukja e datës në përpjekje për të hequr pusullën, me qëllim leximin e datës.