Katër muzikantë pëfitojnë bursa italiane
Klejda Tare (piano), Armand Likaj (kanto lirike), Ingrid Zhegu, violinë dhe Iliard Shaba (violonçel) janë katër bursistët fitues të Tirana Music Internatinal. Përgjatë një jave u zhvillua në Akademinë e Arteve në Tiranë edicioni i tretë i Tirana Music Festival, ku studentë, nxënës e të sapodiplomuar zhvilluan mastera me pedagogë italianë. Përpos masterave në piano, kanto, kitarrë, violonçel, klarinetë, etj., u zhvilluan një sërë koncertesh në Elbasan, Durrës e Tiranë, ku interpretuan studentë e pedagogë. Një nga mbrëmjet e veçanta ishte koncerti i Docentëve, në skenën e AA, ku pedagogë shqiptarë si Suzana Frashëri, Rudina Ciko, Nora Çashku e Fatos Qerimaj interpretuan në krah të kolegëve italianë Piero Vincenti, Claudio Piastra, Maria Teresa Carunchio, etj. Po kaq i rëndësishëm ishte koncerti përmbyllës i studentëve, i drejtuar nga prof. Marco Pontini, i cili përzgjodhi edhe 30 studentë për ngritjen e Orkestrës së të rinjve. Kjo orkestër do të japë koncerte në Itali më 19 korrik deri më 2 gusht. Ndërsa katër bursistët e festivalit kanë mundësinë të vijojnë vitin e ardhshëm akademik në Accademia Internationale Musicale në Itali, në kurset përkatëse. Sipas presidentit të festivalit, Piero Vincenti, ky vit shënoi rritje jo pse ishte edicioni i tretë, por se interesi i të rinjve ishte edhe më i madh. Morën pjesë plot 186 muzikantë të rinj. Tirana Music Festival organizohet nga Akademia Muzikore e Umbrias në bashkëpunim me Akademinë e Arteve dhe Institutin Italian të Kulturës.
a.m