E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha dyfishon Tiranën, socialistët kundër

10-04-2013 / Gazeta 55

Këshilli Bashkiak i hap rrugë ndërtimit të bulevardit të ri të Tiranës, i cili është revolucioni më i madh urban i kryeqytetit, që nga ndërtimi i tij, sipas arkitekturës italiane, në fillim të shekullit 20. Kasnecët e Edi Ramës në këshill e kanë parë projektin si një rast për t’u hakmarrë ndaj qytetarëve dhe kanë tentuar ta bllokojnë, por me 29 votat e mazhorancës, këshilli ka kaluar kredinë prej 7 milionë eurosh, akorduar nga Qeveria e Katarit 


Basha: “Fillimi i këtij investimi, hov të ri zhvillimit ekonomik dhe punësimit në Tiranë”


Punësimi në Tiranë/Një milion euro për hapjen e bizneseve nga të rinjtë


Këshilli Bashkiak me 29 vota pro të këshilltarëve të mazhorancës dhe 20 abstenime/kundër të këshilltarëve socialist ka miratuar grantin prej 7 milionë eurosh që qeveria e Katarit ka dhuruar për financimin e projektin për zgjatimin e Bulevardit të madh “Dëshmorët e Kombit” dhe rehabilitimin e Lumit të Tiranës, që mban firmën e studios “Grimshaw Architects” LLP, e cila fitoi konkursin ndërkombëtar. Gjatë diskutimit për projektin për zgjatimin e bulevardit të madh “Dëshmorët e Kombit” dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës, këshilltarë e majtë u përfshinë në debate me kryebashkiakun Basha. Këshilltari i opozitës, Aldrin Dalipi, u shpreh kundër vendimit, pasi, sipas tij, më parë duhet të kalonte në Komisionin Juridik. Ai deklaroi se do të abstenonte, ndërsa kreu i Bashkisë, Lulzim Basha, theksoi se vendimi i tij është i ndikuar politikisht dhe aspak i mbështetur. Brenda pak javësh nis hapi i parë për ndërtimin e bulevardit të ri, me zhvendosjen e  shtyllave të tensionit nga sheshi “Skënderbej” deri te Bregu i Lumit. “Me këtë vendim, sot Këshilli Bashkiak shënon fundin e fazës përgatitore të këtij projekti dhe fillimin e fazës së investimit të bulevardit të ri të Tiranës, pjesë e projektit të bulevardit dhe lumit të Tiranës. Në sipërfaqen e tij urbane ‘ngërthen’ pothuajse ¼ e qytetit të Tiranës. Vjen pas miratimit nga ky Këshill të planit urban dhe është pjesë e përpjekjes sonë për t’i dhënë Tiranës një plan modern, evropian zhvillimi por po kështu një plan të zbatueshëm siç tregon në rastin e këtij investimi publik edhe hapi tjetër që do të hedhim, ky i investimit të bulevardit të ri të Tiranës. Nga pikëpamja e vlerës së shtuar për kryeqytetin, do të ndalesha tek dy momente; i pari afatshkurtër që ka të bëjë me zotimin tonë për të bërë punësimin dhe zhvillimin ekonomik, çështje kryesore të axhendës së kësaj Bashkie dhe në këtë pikë, pa dyshim fillimi i një investimi kaq madhor është një lajm i mirë jo thjesht për industrinë e ndërtimit, kompanitë të cilat do të përfshihen drejtpërdrejt në ndërtimin e bulevardit por për të gjithë zinxhirin ekonomik që tërheq me vete, për zhvillimin në dy anët e këtij aksi, për vëmendjen e veçantë që ka ngjallur tek investitorët e huaj, duke filluar me vetë donatorët, ata të Katarit të cilët po përgatisin një mision të dytë për të finalizuar investime në fushën e hotelerisë dhe qendrave komerciale në aksin e bulevardit. Natyrisht, nuk janë të vetmit, pasi ka edhe shumë të tillë. Pra, hap një kapitull të ri në ‘zemberekun’ ekonomik të Shqipërisë dhe mu në zemër të këtij ‘zembereku’, që është aksi veri-jug i qytetit të Tiranës”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha. Sipas tij, vendosja e këtij aksi në këtë zonë është një frymëmarrje e madhe ekonomike për këtë zonë të Tiranës dhe ndërthuret shumë mirë me investimet e tjera të planifikuara qoftë nga Bashkia e Tiranës siç janë të reflektuara në buxhet apo planin urbanistik, qoftë nga qeveria, Unazën e Madhe të Tiranës që shtrihet përgjatë lumit të Tiranës apo edhe aksin jug-veri që shtrihet përtej, në drejtim të rrugës Tiranë-Shkodër dhe lidhet më pas me arteriet e reja të komunikacionit të ndërtuara rishtazi aty. Kryebashkiaku Basha ka bërë të ditur se përveç shtetit të Katarit, ky projekt ka marrë mbështetje të gjerë edhe nga donatorë të tjerë. Puna, sipas zotit Basha, do të nisë me zhvendosjen e linjave të tensionit të lartë dhe Hekurudhës. “Hapi i parë do të hidhet dy apo tre javët e ardhshme, zhvendosja e linjave të tensionit, zhvendosja e Hekurudhës dhe pastaj përmes këtij granti, ne do të nisim menjëherë nga puna për ndërtimin e komponentëve të parë të bulevardit të ri të Tiranës. Faza e parë prej 7 milionë eurosh parashikon pjesën e parë të bulevardit, nga fillimi i Stacionit të Trenit deri në afro 600-700 metra thellësi, duke përfshirë këtu një vepër madhore të bulevardit që është një parkim i madh nëntokësor, publik në pjesën ku sot ndodhet Stacioni i Trenit, ndërkohë që me fonde të tjera të donatorëve, me një kredi me terma të butë që është negociuar dhe është në proces përfundimi me një tjetër partner të rëndësishëm tonin, Fondi i Zhvillimit të Abu Dhabit (ka kontribuar edhe gjysmën e parave për tunelin e Kërrabës) do të plotësohen edhe komponentët e tjerë financiarë që përfshijnë pjesën tjetër të bulevardit dhe rehabilitimin e shtratit të lumit të Tiranës, ndërtimin e infrastrukturës shoqëruese”, u shpreh kreu i Bashkisë. Gjithashtu Kryebashkiaku Basha nënvizoi se po projektohet  ndërtimin e një aksi të fuqishëm ekonomik, social dhe kulturor të kryeqytetit të shqiptarëve, i denjë që kur të shihet pas 50, 70 apo 100 viteve, t’i bëjë ballë me sukses dhe dinjitet gjykimit të brezave për impaktin që do të japë. Sipas tij, puna ka qenë shumë komplekse, dhe ka pasur një koordinim sa më të mirë të projektimit. “Përfshirja e shumë agjencive shtetërore, ndërshtetërore në rastin e donatorit shtetit të Katarit dhe koordinimit ka qenë  një lëvizje e koordinuar dhe do të shpalosë në ditët në vijim me Hekurudhën shqiptare, me OST, me BERZH, përgjegjëse për procedurat e koncesionimit të terminalit multimodal të pasagjerëve, që po kështu do të vijë para jush për një vendimmarrje e prezantim të mëtejshëm”, nënvizoi Basha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›