Punësimi në Tiranë/Një milion euro për hapjen e bizneseve nga të rinjtë
Të rinjtë deri në moshën 35 vjeç, të cilët kërkojnë të hapin një biznes, do të përfitojnë nga fondi prej 1 milion euro i Bashkisë së Tiranës. Me një vendim të miratuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u përcaktuan edhe kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e bankës së nivelit të dytë për të mundësuar një kredidhënie të lehtë, të shpejtë, me interesa të ulëta, pa burokraci të tepërta dhe transparencë për të gjithë përfituesit e fondit te garancive. Ky projekt është në vazhdën e nismave të Bashkisë së Tiranës, për të nxitur zhvillimin e biznesit dhe rritur punësimin. “Është një vendim i cili shkon drejtpërdrejt objektivit tonë për të bërë maksimumin e mundshëm si Bashki për punësimin. E kam thënë dhe vazhdoj ta them, Bashkia, kryetari i Bashkisë dhe ju si Këshill Bashkiak nuk mund të bëni gjithçka për punësimin por mund të bëjmë diçka për punësimin. E kemi provuar se kemi bërë diçka për punësimin dhe me këtë vendim jam i sigurt se hedhim një hap akoma të paprekur nga pushteti lokal por me leverdi të madhe sa i përket rolit që pushteti lokal, qeverisja vendore ka për të siguruar zhvillim ekonomik dinamik dhe shanse për punësim, veçanërisht për brezin e ri”, theksoi Basha.
Lidhur me akuzat e përsëritura nga këshilltarët socialistë për planin urbanistik, Kryebashkiaku Basha u ka rikujtuar se plani ishte gjithëpërfshirës. “Plani u konsultuar me te gjithë ekspertet, përfshirë edhe ata që sot janë zëdhënësit më të zjarrtë kundër planit. Ishin aty pjesëmarrës me të drejta të plota, me zërin e tyre të dëgjueshëm dhe të transkriptuar në qëndrimet që kanë mbajtur dhe në fakt kanë mbajtur qëndrime në tërësi konstruktive gjatë diskutimeve të planit. Plani u diskutua me qytetarët në një përballje që zgjati afro 3 muaj, pra transparenca ka qenë e plotë. Plani nuk ka njolla, ju a sqaroj edhe një herë! Në këtë Këshill duhet të kemi një qartësi. Plani nuk vendos njolla, vendos parametra të zhvillimit, është një kushtetutë urbane e Tiranës. Plani katërfishon gjelbërimin, sikundër kam kënaqësinë të ndaj me ju sot që për momentin, me përfundimin e kësaj fushate të mbjelljes së pemëve në kryeqytet, numri total i pemëve të mbjella gjatë jetëgjatësisë së këtij Këshilli Bashkiak, në Tiranë ka arritur në 12 500. Nëse doni ta krahasoni me 15 mijë pemë të mbjella në periudhën 2001-2011, do shikoni se kemi bërë një punë jo fort të keqe dhe kjo do të vazhdojë. Bulevardi është gjithashtu një projekt gjelbërues”, sqaroi kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha.