E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha emëron Tabakun nënkryetare të bashkisë

Jorida Tabaku dha dorëheqjen nga posti i zv.ministres së Integrimitm për t’u angazhuar në administrimin e bashkisë së kryeqytetit

TIRANË Jorida Tabaku do të jetë nënkryetarja e ardhshme e Bashkisë së Tiranës. Ajo dha dorëheqjen nga posti i zv.ministres së Integrimit, për t’u angazhuar në një tjetër detyrë, po aq të rëndësishme. Duke përmendur kredencialet dhe përvojën e nënkryetares së re, kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, theksoi se hapja e vendeve të reja të punës, zhvillimi ekonomik, si dhe puna me të rinjtë do të jenë prioriteti kryesor i Tabakut në katër vitet që vijnë.“Ajo që dua të theksoj është bindja ime se emërimi i saj në këtë detyrë është në përputhje me frymën e bashkisë, shërbimit ndaj qytetarëve dhe profesionalizmit, kam kënaqësinë që, jo vetëm për shkak të historisë së origjinës së familjes Tabaku, por dhe kredencialeve të zonjës Tabaku, shërbimi ndaj qytetarëve do të jetë primare. Prioritetet e saj do jenë hapja e vendeve të reja të punës, zhvillimi ekonomik dhe përvoja e saj e mëparshme për përballimin me sukses të sfidave të mëdha. Puna jonë do jetë afatgjatë. Puna me rininë do të jetë aspekt i rëndësishëm i nënkryetares së re”,- u shpreh kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Nga ana e saj, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës theksoi angazhimin se katër vitet e ardhshme do të ndikojnë në jetën e kryeqytetasve për 100 vitet që do vijnë. “Falenderoj qytetarët për mundësinë që na dhanë. Portofoli që do drejtoj do jetë ambicioz, do të lidhet me punësimin dhe nxitjen e investimeve të huaja, sfidat e bashkisë. Në këto vite kemi parë ndryshime të mira në Tiranë, por ka ende shumë potenciale të pashfrytëzuara. Tirana është qyteti im, jam e sigurt që ndryshimet që Tirana do ketë në 4 vite do ndikojnë në jetën e tiranasve për 100 vitet e ardhshme”, - u shpreh Tabaku.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›