Malaj: Ndjesa e Ramës për ndryshimet kushtetuese? Një lider nuk fsheh dështimet
Deputeti socialist kritikon paralajmërimet e Ramës për përjashtimin e Islamit apo Harasanit, duke pohuar se ata nuk kanë marrë asnjë vulë nga PS-ja.
Deputeti Arben Malaj, i njohur si një ndër kritikët e lidershipit të PS-së, e cilëson dështim të Edi Ramës vendimin për ndryshimet kushtetuese në vitin 2008. I ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, Malaj nuk i ka kursyer komentet për ndjesën publike të kryetarit të PS-së, Edi Rama, duke pohuar se “një lider nuk i fsheh dështimet e tij”. Gjatë intervistës, Malaj ka kujtuar debatin 3-orësh në kryesinë e PS-së me Ramën, ku pohoi se kishte kundërshtuar këto ndryshime në Kushtetutë, që sipas tij prishnin garancitë për zgjedhjet, apo edhe për Presidentin. “Si anëtar i Kryesisë kam denoncuar se sistemi i ri zgjedhor nxjerr fitues koalicionin në pushtet”, - tha Malaj. I pyetur për paralajmërimin e Ramës për përjashtimin e deputetëve Kastriot Islami dhe Andis Harasani, Malaj u përgjigj: “Harasani dhe Islami nuk kanë marrë ndonjë vulë nga PS-ja”. Ai shtoi se një forcë politike duhet t’i maksimizojë kapacitetet e veta dhe jo t’i përjashtojë ato, duke shtuar më tej se nuk ka asnjë arsye për përjashtimin e këtyre dy deputetëve nga PS-ja. “Para vitit 2005, OJQ-të e Ramës bënin protesta përditë te Parlamenti kundër socialistëve dhe nuk i tha njeri gjë Ramës atëherë”, - shtoi më tej Malaj. Deputeti socialist kritikoi liderishipin aktual për cenim të demokracisë në PS, duke pohuar se sistemi i karrierës është zëvendësuar me sistemin e emërimeve, veçanërisht në forumet si FRESSH apo ai i Gruas. Deputeti Malaj ka bërë thirrje për një rikthim sa më të shpejtë të PS-së në Parlament, duke pohuar megjithatë se nuk është kundër protestave paqësore, apo opozicionit të fortë kundër qeverisë “Berisha”. “Duke mos qenë në Parlament, ne kemi fshehur dështimet e qeverisë”, - tha Malaj, i cili i mëshoi idesë se Partia Socialiste duhet të funksionojë mbi parime të tjera, që sjellin shpresë dhe alternativë qeverisëse më të mirë për qytetarët. Sa i përket një aleance të ardhshme me LSI-në e Ilir Metës, Malaj është shprehur i hapur për koalicione që maksimizojnë fitoren, por jo për ndarjen me përqindje të pushtetit, siç, sipas tij, funksionon sot koalicioni qeverisës.