Basha, takime kokë më kokë me Metën dhe Olldashin
Kreu i ri i Bashkisë ka pritur dje në zyrën e tij në takime të veçanta kryetarin e LSI-së dhe më pas ministrin e Transporteve. Projektohet stafi i teknicienëve dhe nënkryetari i LSI-së që pritet të jetë Edmond Panariti
TIRANË Emërimi i Jorida Tabakut si nënkryetarja e ardhshme e Bashkisë së Tiranës ishte vetëm një nga impenjimet që ndërmori dje kryetari i Bashkisë, Lulëzim Basha. Në zyrën e tij të punës, dje ai ka zhvilluar takime të veçanta me ministrin e Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, dhe kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Me këtë të fundit, është diskutuar gjerësisht edhe emri që do të përfaqësojë LSI-në për postin tjetër të nënkryetarit, krahas Jorida Tabakut. Burime nga Bashkia e Tiranës thanë dje për gazetën “Mapo” se emri kryesor për postin e nënkryetarit të Bashkisë nga LSI-ja është ai i Edmond Panaritit. Dihet tashmë që LSI-ja ishte partia kryesore nga aleatët që kontribuoi në fitoren e Lulëzim Bashës në Tiranë, andaj bashkëpunimi me këtë parti do të jetë ndër parësoret në punën që kryetari i ri i Bashkisë do të ndërmarrë. Jashtë bisedës nuk duket se kanë ngelur edhe projektimi i emrave të kandidatëve për sektorë të tjerë në bashki, që do t’i lihen LSI-së.
Po dje Basha është takuar edhe me ministrin e Transporteve, Sokol Olldashi, zyra e të cilit ndodhet fare pranë me institucionin e Bashkisë. Bashkëpunimi mes Olldashit dhe Bashës duket se do të jetë i vazhdueshëm, ndërkohë që të dy ata janë votuar maksimalisht edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar për anëtar kryesie. Katër vjet me parë, Olldashi ishte kandidat i PD-së për bashkinë e kryeqytetit, një fushatë e suksesshme e ndjekur prej tij, por që rezultati në fund u kondicionua nga koalicioni i LSI-së me PS-në. Ndërkohë, në fjalën e tij të dy ditëve më parë, Basha premtoi një program ambicioz për 100 ditët e para të punës, program i cili nuk mund të realizohet pa një staf po aq ambicioz. Andaj takimet e tij në zyrën e Bashkisë së Tiranës, por edhe kontaktet në vijim, së pari do të kenë parësore pikërisht emërimin e një stafi të përzgjedhur me teknicienë, duke pasur parasysh se në Bashki janë plot 21 drejtori pa drejtues, pas dorëheqjes kolektive të drejtorëve pak para se Basha të merrte zyrtarisht detyrën si qytetari i parë i Tiranës. Dy ditë më parë, Basha premtoi ndër të tjera se brenda 100 ditëve të para të punës do të sigurojë ngritjen e strukturave të posaçme për mbrojtjen e konsumatorit, nisjen e procesit të përgatitjes dhe konsultimit të planit urbanistik të qytetit dhe ndërhyrjet e para urbane, zgjidhjen e çështjes së trafikut në qendrën e Tiranës, eliminimin e 60 llojeve të taksave/tarifave si dhe përgatitjen e paketës fiskale dhe të shpenzimeve për vitin 2012. Basha premtoi gjithashtu se për ta bërë Tiranën një qytet më të mirë, ai do të bashkëpunojë me çdo parti. “Ndaj dua t’ju siguroj se administrata ime do të jetë gjithëpërfshirëse, ku çdo parti politike do të gjejë përfaqësim duke pasqyruar në këtë mënyrë vetë familjen tonë të përbashkët, Tiranën”, - u shpreh dy ditë më parë Basha.
n.p