E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha flet për opozitë konstruktive, por Paloka deklaron: Po na provokoi Rama, do e nxjerrim nga salla

edi-paloka

Përpara nisjes së seancës maratonë për programin qeverisës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha foli për një opozitë ndryshe, konstruktive.

Ai tha se nuk do e pengojnë integrimin, siç kanë bërë paraardhësit.

Ne garantojmë se nuk do të bëhemi pengesë për integrimin. Ne do të japim konsensus për çdo reformë që do na çojë drejt Bashkimit Evropian, ka deklaruar Basha.

Ai ka sfiduar kryeministrin e ri Edi Rama që të matet me arritjet që qeveria e mëparshme ka shënuar sipas tij gjatë tetë viteve të fundit.

Para dy ditësh Rama bëri sulme përçarëse. Qeveria e Ramës le të matet me arritjet tona. Të na kalojë nëse mundet, ne nuk jemi xhelozë, ka thënë Basha.

Më tej, kryetari i ri i Partisë Demokratike ka shprehur skepticizmin e tij për programin qeverisës të Partisë Socialiste, duke vlerësuar se mashtrimet do të dalin shumë shpejt në sipërfaqe.

Sindroma e vitit 0 do të sjellë varfëri dhe papunësi. Premtimet e bujshme të Ramës kanë humbur. Shëndetësi falas nuk do të ketë dhe as 300 mijë vende të reja pune. Mashtrimet i kemi paralajmëruar që në fushatë, ka shtuar Basha.

Por kësaj gjuhe të moderuar të Bashës i vihet përballë ajo e kreut të grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, që ka deklaruar një ditë më parë se nëse Rama do të provokojë opozitën, do e nxjerrin nga salla.

Duke folur për gazetën MAPO, Paloka thotë: Braktisja e seancës në ato momente ishte në fakt vendimi më i lehtë që mund të merrej, sepse ne mund të reagonim edhe ndryshe. Prapë ne u treguam më luajalë dhe bëmë atë që duhej të bënte Rama, respektuam solemnitetin e asaj seance dhe thjesht u larguam. Por mund të kishim bërë dhe që të largohej Rama, e jo ne nga salla. Ai zotëria që e ka natyrë të tij provokimin, bën mirë ta llogarisë një gjë të tillë nëse do të vazhdojë të fyejë e provokojë opozitën./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›