Basha inspekton punimet tek rrethrrotullimi i doganës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka inspektuar sot punimet tek rrethrrotulli i doganës. Në fjalën e tij, Basha ka theksuar se krijimi i korsive shtesë në rrethrrotullimin e doganës ishte emergjente pasi është edhe pika më e rënduar për trafikun në Tiranë.
"Trafiku është një ngërç për qytetarët e Tiranës dhe për këtë arsye u desh një ndërhyrje emergjente për krijimin e korsive shtesë. Gjithashtu ky investim do të përmirësojë ndjeshëm shpejtësinë e lëvizjes së automjeteve dhe nivelin e ndotjes në qytetin e Tiranës” tha Basha.
Sipas tij pas përfundimit të unazës së madhe do të shihet nëse do të ketë nevojë për ndërhyrje të tjera në rrethrrotullimin e doganës. Ai ka theksuar se disiplinimi i makinave dhe këmbësorëve do të jetë pjesë e menaxhimit të trafikut në këtë pjesë të kryeqytetit. “Ne jemi të përkushtuar për të bërë këto ndërhyrje emergjente për t`i dhënë qytetit një frymëmarrje më të madhe” tha Basha.
Sipas kryebashkiakut Basha projekti për rehabilitimin e rrugës tek rrethrrotullimi i doganës përfundon më datën 15 gusht dhe kap vlerën e 54 milionë lekëve të reja.