E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha “ndërron” partnerin e PD-së në Kosovë: Preferon Thaçin?

Lideri i posazgjedhur i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, i ka i ka dërguar të premten një letër liderit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, nga i cili ka kërkuar thellimin e bashkëpunimit ndërpartiak me qellim të forcimit, siç është thënë, të demokracisë dhe prosperitetit të dyanshëm.

Basha, i cili mban timonin e PD-së (e cila për me shumë se 20 vite është udhëhequr nga Sali Berisha) e që është konsideruar më shumë e afërt me LDK-në (parti e udhëhequr për shumë kohë nga Presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova), i ka shkruar Thaçit fjalë miradije për zhvillimet në partinë që ai udhëheq, si dhe për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë.

“Jam i bindur që potenciali i Partisë Demokratike të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, mund të shkëmbehen më qëllim të forcimit, thellimit dhe avancimit të marrëdhënieve tona të përbashkëta në të gjitha fushat edhe në atë ndër partiake”, i ka shkruar Basha, liderit të PDK-së, Hashim Thaçi, transmeton illyriapress.

Basha në letër shpreh gatishmërinë e plotë të partisë që udhëheq për t’i ndihmuar Partisë Demokratike të Kosovës, në të gjitha kërkesat dhe adresimet e saj.

“Kam kënaqësinë të shprehi gatishmërinë për bashkëpunimin për të cilin nuk dyshoj dhe i cili do të konkretizohet në ditët, javët dhe muajt në vijim” ka shkruar Basha mes tjerash në letrën adresuar Thaçit.

Lulzim Basha, i cili udhëheq me Tiranën, ka qëndruar para pak kohesh në Kosovë me ftesë zyrtare të homologut të tij nga Prishtina, Isa Mustafa, i cili udhëheq Lidhjen Demokratike të Kosovës. Basha është shpallur qytetar nderi i Prishtinës, për – siç është thënë – kontributin e dhënë në avancimin e marrëdhënieve mes dy kryeqyteteve, Prishtinës dhe Tiranës./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›