Ofiçaria e Prishtinës punon edhe të shtunën deri në mesditë

Ofiçaria në Komunën e Prishtinës punon edhe të shtunën deri në mesditë. Kjo zgjatje e orarit është bërë enkas për mërgimtarët. Por, këta të fundit thonë se nuk i njoftoi askush për këtë dhe se ditëve të punës po u duhet të presin në radhë.
Mërgimtarët kërkojnë më shumë informata nga institucionet, e në veçanti nga Ministria e Diasporës. Drejtori i Administratës në Komunën e Prishtinës, thotë se numri i qytetarëve që kërkojnë dokumente të shtunave, është aq i vogël sa që do të mund të mos punojnë fare këtë ditë, transmeton KTV.
Ministria e Diasporës në reklamat përshëndetëse të saj për mërgimtarë duket se nuk e ka parë të udhës të tregojë edhe për shërbimet që kryhen për ta, por ka mjaftuar vetëm duke iu uruar mirëseardhje. /Indeksonline/