E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha mbyll konsultimet për planin urbanistik të Tiranës

Kryebashkiaku Lulzim Basha ka mbyllur dje turin e konsultimeve për planin urbanistik, në Njësinë Bashkiake Nr. 2. Ai është takuar me banorët e zonës në Kinoklubin e Qytetit Studenti. “Është e fundit në radhë, por e para në disa drejtime. Është njësia e parë bashkiake përsa i përket sipërfaqes. Është njësia e parë bashkiake edhe për një tregues tjetër, me të cilin nuk mund të krenohemi, për numrin më të vogël të metrave rrugë, për frymë banorësh. Është njësia bashkiake më e paurbanizuar e Tiranës”, tha kryebashkiaku Basha. Ai shtoi se këto janë pasojat e drejtpërdrejta të punës pa plan në Bashkinë e Tiranës, kapitull ky i mbyllur tashmë. Plani i ri urbanistik në këtë njësi  parashikon ndërtimin e 9 çerdheve, 5 kopshteve, 2 shkollave 9-vjeçare dhe një shkolle të mesme. “Ky plan nuk është buxheti, nuk është as çeku i bardhë, por është pa dyshim baza më e fortë dhe transparente për të vendosur në shinat e zhvillimit qytetin për 10 vitet e ardhshme”, tha Basha. Ai shtoi një nga shtyllat e këtij plani është përdorimi i pronës private të qytetarëve të Tiranës, ku kompensimi do të jetë me vlerën e tregut edhe kur prona e tyre përdoret për ndërtimin e hapësirave publike. Nga sa bënë me dije ekspertët e transportit në Bashki, në Njësinë Nr. 1 do të ndërtohen 5 parkime nëntokësore, respektivisht mbrapa Pallatit të Kulturës, te sheshi “Avni Rustemi”, para dhe pas stadiumit “Qemal Stafa” dhe në rrugën “Ismail Qemali”. Përsa i përket infrastrukturës së transportit publik, përveç linjave të autobusëve, propozohet kalimi i linjës veri -jug të tramit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” si dhe linja në Unazën 3 të qytetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›