Berisha: Pse refuzoj ftesën e De Biazit

Besart Berisha
Shqiptari i përgjigjet teknikut: Jam shumë larg dhe nuk mund të vij.
“Falënderoj trajnerin, por rikthehem kur të luaj në Europë”
Besart Berisha e vlerëson maksimalisht që trajneri i Shqipërisë, Xhani de Biazi, po e ndjek vazhdimisht, por ai nuk planifikon t’i përgjigjet pozitivisht ndonjë ftese të tij. Berisha e lë të hapur mundësinë e kthimit në Kombëtaren e Shqipërisë kur të kthehet për të luajtur në Europë. Për sa kohë do të luajë në Australi, sulmuesi kosovar thotë se nuk ka mundësi të grumbullohet me Kombëtaren. Trajneri i Shqipërisë, italiani De Biazi, ka thënë të mërkurën se Berisha është lojtar që i pëlqen. “Respektoj shumë De Biazin dhe e falënderoj për fjalët e mira që ka folur për mua. Mirëpo unë i qëndroj besnik vendimit që kam marrë vitin e kaluar, sepse momentalisht nuk kam mundësi të bashkohem me Kombëtaren. E vlerësoj shumë Kombëtaren dhe shpresoj që një ditë të jem më afër Shqipërisë dhe të jap kontributin për ekipin tonë përfaqësues. Shpresoj që edhe drejtuesit e Kombëtares të kenë të njëjtin mendim dhe të më thërrasin kur të jem duke luajtur diku në Europë”, ka thënë Besart Berisha të enjten për “Kohën Ditore”. Ai ende nuk është kontaktuar nga trajneri apo drejtues të FSHF-së. “Unë ndjek me vëmendje Kombëtaren dhe lajmet rreth saj. Komentin e De Biazit e vlerësoj shumë. Atij i uroj sukses me Kombëtaren. Personalisht nuk kam pasur ndonjë telefonatë nga trajneri apo ndonjë tjetër i Kombëtares. Gjithsesi, shpresoj që të jem në planet e tij edhe në të ardhmen”, ka vijuar sulmuesi 27-vjeçar. Besart Berisha është duke luajtur për skuadrën kampione të Australisë, Brisban Roar. Edicionin e kaluar vendosi titullin e Australisë, duke shënuar dy golat e vetëm për Roarin në finale. Ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit, ndërsa theu edhe disa rekorde të ligës dhe skuadrës. Në fillim të edicionit 2012-2013 shënoi dy gola në dy ndeshjet e para. Nuk pritet kthim i shpejtë i Berishës në Europë. Ai thotë se po ndihet shumë mirë në Australi, ndërsa me Brisban Roar ka kontratë edhe për dy vjet. Në të vërtetë, transferimi në Australi vlerësohet se shpëtoi karrierën e sulmuesit 27-vjeçar. Ai pati pak hapësira te skuadra gjermane Arminia Bielefeld dhe te disa skuadra të tjera ku luajti më herët. Për Shqipërinë, Berisha ka nisur të luajë në tetor të vitit 2006. Ka regjistruar 17 ndeshje si kuqezi dhe një gol, ndërsa për herë të fundit ishte ftuar në tetor të vitit 2009.
Ujkani
Në prag të ndeshjes Palermo-Torino ka nisur një debat mediatik se cila prej skuadrave ka portierin më të mirë. Kjo edhe për faktin se Ujkani ishte shumë pranë Torinos gjatë merkatos së verës. “Ujkani është një portier shumë i mirë dhe unë i vë notën 8. Megjithatë, Xhiletit i vë notën 8 në tre elementët bazë për daljet që bën, notën 9 për qëndrueshmërinë që ka dhe notën 10 për lojën me këmbë”, ka thënë ish-portieri Bortolo Muti.