E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha në Prokurori për Durrës-Kukës

Ministri pa imunitet, Lulzim Basha, njihet me raportin përfundimtar për abuzimet e mëdha në rrugën Durrës-Kukës

Rruga Durrës-Kukës, 230 milionë euro dëm shtetit. Basha njihet me raportin e ekspertëve kontabël

TIRANË- Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, e ka gjetur veten mes dy frontesh, gjatë ditëve të fundit. Pa u shuar jehona e lidhjeve të tij me biznesmenin boshnjak, Damir Fazlliç, ministri pa imunitet është thirrur në Prokurori për dosjen e rrugës Durrës-Kukës. Basha ka hyrë në Prokurorinë e Përgjithshme mbrëmjen e së martës dhe ka qëndruar për 45 minuta me prokurorët e çështjes, ku është njohur me akt-ekspertimin kontabël të rrugës Durrës-Kukës. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës, të cilët bënë të ditur për “Shekullin” se ministri i Jashtëm, Basha, sipas procedurës ligjore, ka shkuar të njihet personalisht me akt-ekspertimin kontabël të vlerësimit të dëmit, të dorëzuar pak ditë më parë nga dy ekspertët shqiptarë në Prokurorinë e Përgjithshme.

“Pas dorëzimit të raportit përfundimtar, të dy ekspertëve kontabël, Pëllumb Ahmetaj dhe Zenun Katana, të cilët për një afat gati dymujor kanë analizuar dhe vlerësuar dëmin shkaktuar shtetit shqiptar me mënyrën dhe ndjekjen e procedurave dhe më pas shpalljen e fituesit të tenderit për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, ministri nën hetim, Lulzim Basha, u njoh me këto përfundime”,-bëjnë me dije burimet e mësipërme.

Në këtë raport disa faqësh, ekspertët kontabël Ahmetaj dhe Katana kanë arritur në përfundim se drejtuesit e Ministrisë së Transporteve me veprimet dhe mosveprimet e tyrei kanë shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej rreth 230 milionë eurosh. Mësohet gjithashtu se sipas procedurës ligjore të shtetit shqiptar, organi i akuzës është i detyruar që personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime duhet t’i njoftojë për materialet e administruara në dosje, konkretisht për përfundimin e raportit të akt-ekspertimit kontabël të vlerësimit të dëmit. Me përfundimin e këtij raporti dhe dorëzimin në prokurori, janë lajmëruar mbrojtësit ligjorë të dy të pandehurve të kësaj dosjeje, shtetasit Armand Teliti dhe Andi Toma, të cilët me ndihmën e avokatëve të tyre mbrojtës kanë bërë tërheqjen e këtij raporti të ekspertëve.

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, nën hetim për kohën kur drejtonte Ministrinë e Transporteve ishte i fundit i informuar për ekspertimin kontabël. Pas ftesës së prokurorisë për t’u paraqitur pranë organit të akuzës, ai ka zgjedhur orën e 18:00 të pasdites së martë që të njihet me këtë raport. “Ka qenë ora 18:00 e pasdites së martë, kur makina e ministrit Basha ka hyrë në oborrin e Prokurorisë së Përgjithshme, brenda të cilit ndodhej vetë ministri dhe avokati i tij mbrojtës. Pas 45 minutash bisedë në zyrën e prokurorit të çështjes Arben Kraja, ata janë larguar nga ky institucion”,-thuhet nga burimet e rezervuara të “Shekullit”. Mësohet se prokurori Kraja i ka vënë në dispozicion ministrit nën hetim, Basha raportin e ekspertëve kontabël të cilët kanë nxjerrë përfundimet se shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm mbi 230 milionë euro nga ndërtimi i segmentit Rrëshen-Kalimash.Sipas këtyre burimeve, ministri Basha ka marrë raportin përfundimtar të ekspertëve dhe ka kërkuar një javë kohë të përgatisë pretendimet e tij në lidhje me dëmin e shkaktuar në këtë tenderim, e drejtë kjo që sipas prokurorisë është e ligjshme.

HETIMI

Prokurorët: Basha, së shpejti i pandehur

Sipas akuzës, mësohet se Lul Basha është njohur edhe me materialet e tjera që ndodhen në dosjen hetimore, duke u pajisur me një kopje të saj. Pritet që pas paraqitjes së pretendimeve të palëve mbrojtëse në këtë proces hetimor, organi i akuzës të nxjerrë përfundimet në lidhje me drejtimin që do të marrë dosja penale. Për prokurorët, Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha së shpejti do të merret i pandehur, për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm tek funksionarët e zgjedhur” në bashkëpunim me ish-zvministrin e Transporteve, Armand Teliti, dhe ish-drejtorin juridik pranë këtij institucioni Andi Toma.

DOSJA

Ina Rama shton me një muaj hetimet për Durrës-Kukës

TIRANË- Në fillim të këtij muaji, me kërkesë të prokurorit të çështjes, Arben Kraja, kryeprokurorja Ina Rama vendosi të shtyjë afatet hetimore edhe për një muaj ndaj personit nën hetim Lulëzim Basha dhe të pandehurve Armand Teliti e Andi Toma, dy ish-zyrtarë të Ministrisë së Transporteve në kohën e projektimit dhe tenderimit të kësaj rruge. Sipas burimeve zyrtare të akuzës, thuhet se pas marrjes së akt-ekspertimit të ekspertëve kontabël të cilët kanë vlerësuar dëmin e shtetit në ndërtimin e kësaj rruge, prokurori Kraja ka kërkuar edhe një muaj, deri më 6 nëntor, për t’i dhënë drejtim dosjes hetimore. “Dy ekspertët kontabël, Pëllumb Ahmetaj dhe Zenun Katana, pas analizimit të dokumenteve të sekuestruara pranë Ministrisë së Transporteve që organi i akuzës i ka bërë pjesë e fashikullit të hetimit rezulton se kosto totale e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës kap shifrën e më shumë se një miliard eurove. Kosto kjo e cila sipas ekspertëve është shumë e madhe për një ndërtim të tillë”,-thuhet nga burimet. Këto burime nuk dhanë shumë detaje në lidhje me arsyen e zgjatjes së afateve hetimore, por saktësojnë se kjo kohë mjafton për të kryer kontrollet dhe verifikimin e vendimeve të Këshillit të Ministrave, vendime këto të marra muajt e fundit për të shtuar para për ndërtimin e kësaj rruge, të cilat do të krahasohen me koston e nxjerrë nga ekspertët kontabël. Gjithashtu, mësohet se dy ekspertët Ahmetaj dhe Katana, nuk janë marrë me diferencat e çmimeve dhe ofertave, por vetëm me konstatimin e vlerës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›