E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha ose baby Berisha në garë

Çfarë sjell të re në politikën shqiptare Lulzim Basha, sot kandidati i PD për bashkinë e Tiranës, me prerjen e flokëve si diçka mes modelit të Sali Berishës e Elvis Presley-t? Me karrierë brilante në PD, që do ta kishin zili shumë kop-istë të cilëve kryetari i Partisë Demokratike u hapi dyert në 2005, Basha gëzon një privilegj misterioz brenda partisë së Berishës: ministër në tre dikastere strategjike, i përfolur dhe i pahetuar për afera që mbeten akoma si re të grumbulluara e të paderdhura në kokën e tij. Eshtë realizuesi i ambicjes së madhe të kryeministrit Berisha për ndërtimin e rrugës Durrës- Morinë, e kritikuar nga njerëzit e hesapeve ekonomike dhe e lavdëruar nga patriotë që do të blinin dhe Ferrari me paratë e shtetit e do të betoheshin se e blenë se ka ngjyrën e flamurit kombëtar e jo se është symbol i luksit. Në formë dhe në përmbajtje Lulzim Basha është vazhdimësi e politikës së vjetër në Shqipëri, ndoshta, i mirëinformuar se mbetet kjo mënyrë mbijetese në xhunglën politike shqiptare. I përket një prurje copy paste që mbushi në 2005 Partinë Demokratite: flasin njësoj, sulmojnë njësoj, argumentojnë (rrallëherë) njësoj, bërtasin njësoj, ndryshojnë nga ngjyra e flokëve, e syve, gjatësia e seksi, por ruajnë me fanatizëm mënyrën berishane të të bërit politikë. Basha është ndër më të zellshmit babyBerisha në politikën shqiptare dhe ky zell sot e përplas me Edi Ramën, për të katërtën herë kandidat për kryetar të qytetit të Tiranës. Mbetet një garë interesante, nga një anë Partia Socialiste që s’qe në gjendje të nxirrte një figurë të re për kryeqytetin, nga ana tjetër një baby me portafolin e tre ministrive.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›