E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bradley Cooper: Ja si i thyej mitet në jetën time

Aktori i konsideruar si një ndër meshkujt më seksi në Hollywood, flet për famën, bashkëpunimi ne Robert de Niron, fansat dhe frikën

Ai i ka bërë të qeshin me lot fansat në komedinë e njohur “The Hangover”. Megjithatë, tani Bradley Cooper po e kthen faqen e karrierës së tij, duke marrë pjesë në një film të zhanrit aksion-thriller të titulluar “Limitless”, ku personazhit të tij, Eddie Morra, i duhet të jetë një karakter serioz. Roli që ai interpreton është ai i një shkrimtari që zbulon një sekret që ka lidhje me një pilulë që i jep atij aftësi supernjerëzore. Në intervistën e mëposhtme për mediat amerikane, aktori 36-vjeçar, që shquhet kryesisht për role komike, flet për personazhin e tij të ri, si dhe bashkëpunimin me aktorin e njohur, një nga kolosët e Hollywood, Robert de Niro. “Robert de Niro ka qenë pjesë e jetës sime shumë kohë para xhirimit të këtij filmi. Ai madje është arsyeja kryesore se përse unë u bëra aktor. Është një gjë e mrekullueshme, apo jo?! Unë kam qenë në shkollë të mesme kur mendoja sesi Bob (De Niro) ishte pjesë e pushimeve të mia verore”, - thotë ai, duke shtuar se në aq shumë filma sa e ka parë dhe e ka admiruar, i duket sikur me të ka krijuar një marrëdhënie speciale. Por, a është ndopak e vështirë të punosh me dikë si De Niro, që njihet si një personazh i tërhequr, që nuk ka dëshirë të flasë për jetën e tij private, për mediat etj?! “Në fakt, ndryshe nga ç’mendohet, të punosh me të madhin Robert de Niro nuk është fare e sikletshme. Në fakt, është relaksuese. Kur unë shihja axhendën e xhirimeve dhe vëreja se atë ditë kisha punë me Bob, shkarkohesha nga tensioni dhe stresi. Më besoni, është e vërtetë!”, - vijon më tej 36-vjeçari Bradley Cooper, i cili ka folur gjatë kësaj interviste edhe mbi mënyrën sesi arrin ta mbajë famën nën kontroll. “Nuk ka asnjë lloj fuqie te fama, asnjë. Ajo ashtu sikurse vjen, ashtu edhe ikën. Gjithçka që mund të bësh, është të punosh, këtë parim e kam pasur gjithnjë të qartë në mendjen time. Unë thjesht dua të perfeksionohem gjithnjë e më shumë dhe pse jo, të punoj me aktorë të mëdhenj dhe regjisorë të famshëm. Pjesa tjetër, është diçka me të cilën duhet të merret personalisht çdo aktor që përballet me famën”, - shpjegon Cooper, i cili ka gjetur një mënyrë shumë interesante për të treguar se përse nuk ka Twitter apo Facebook, rrjete sociale këto që e lidhin me fansat në mbarë botën. Për të nuk është shumë e këndshme që njerëzit të dinë çdo gjë rreth jetës së tij private, pasi siç shpjegon aktori “duke të të njohur mirë si person jashtë ekranit, ata nuk do të mund të futen dot në brendësi të karakterit të rolit që ti interpreton në film”.

“Limitless” më dhuroi rolin e parë të madh të një mashkulli udhëheqës

“Në fillim lexova skenarin dhe thashë se rashë në dashuri me të. Si çdo njeri që marroset dhe fiksohet pas dashurisë, edhe unë bëra gjithçka duhej për ta bërë timin këtë rol. Ja se si i përgjigjet aktori seksi pyetjes se si do të ndjehej ai sikur në të vërtetë të pinte një pilulë që do t’i dhuronte aftësi të mbinatyrshme: Me siguri që do përpiqesha të mësoja sa më shumë gjuhë të huaja që të mundesha. Po kështu, them se do doja të mësoja sa më shumë instrumente muzikore. Do të ishte e mrekullueshme të lidheshe përmes muzikës me gjithë muzikantët, si dhe të komunikoje me njerëz të ndryshëm kudo që ata ndodhen. Gjithsesi, prapë do të vendosja të isha një aktor dhe regjisor. Kështu që nëse do kisha këto aftësi të mbinatyrshme, dëshira ime do të ishte që të përballesha me frikën time dhe ta mposhtja atë. E kam fjalën për frikën që kam për t’u bërë regjisor. Gjithçka që unë dua të bëj në jetë është të bëj filma, edhe pse ende nuk kam arritur ta bëj këtë si regjisor.

Bashkëpunimi me të madhin Robert de Niro

Po flasim tani për qershinë mbi tortë. E shkuara ime me të (pa e ditur ai), daton shumë kohë më parë. Ai është arsyeja kryesore se përse unë u bëra aktor. Është një gjë e mrekullueshme, apo jo?! Unë kam qenë në shkollë të mesme kur mendoja se si Bob (De Niro) ishte pjesë e pushimeve të mia verore.

De Niro nuk më vë në siklet, të paktën jo aq shumë...

“E kam parë në kaq shumë filma, saqë ndjeja sikur kisha një lloj lidhje apo marrëdhënie me të. Bashkëpunimi me të është si të thuash, të rrëzosh një mit që ke. Mendoj se arsyeja se përse ne merremi vesh me njëri-tjetrin është që unë i dua njerëzit, ai gjithashtu, por mbi të gjitha, të dyve nuk na pëlqen të flasim shumë. Kjo është një lloj mënyrë komunikimi mes nesh në punë, edhe pse tingëllon paksa çuditshëm. Para se të bëheshim miq, unë e kisha të qartë në kokë idenë që të dyve nuk na pëlqen të flasim shumë gjatë procesit të xhirimit të filmave, neve thjesht na pëlqen t’i bëjmë filmat, por jo të flasim shumë rreth tyre. Në fakt, ndryshe nga ç’mendohet, të punosh me të madhin Robert de Niro nuk është fare e sikletshme. Në fakt, është relaksuese. Kur unë shihja axhendën e xhirimeve dhe vëreja se atë ditë kisha punë me Bob (Robert de Niro), shkarkohesha nga tensioni dhe stresi. Më besoni, është e vërtetë!

A ishte De Niro i mërzitur për shkak se nuk u thirr në “Hangover 2”

Hahaha, po, ishte i mërzitur. Madje, nuk folëm për javë të tëra. Ai në fakt erdhi në Bangkok kur ne po xhironim filmin. Ishte shumë e sikletshme për ne.

Roli i tij në “Alias”, në vitin 2001

Kur u transferova në fillim në drejtim të Los Angeles, unë nuk mund të bëhesha pjesë e asnjë grupimi, club-e siç quhen. Një pjesë e imja më thoshte: Hej, ne do ta “mbysim” fare Los Angeles. Do jemi në TV. Në fakt, nuk shkuam askund.

Si u përball me famën e papritur pas filmit “The Hangover”

“Në atë kohë unë isha 34 vjeç, ndërsa tani jam 36. E kisha kuptuar gjithsesi se në momentin që do investoja seriozisht për diçka, atëherë do të prisja rrjedhimisht diçka serioze. Them se nëse kjo gjë do të më kishte ndodhur në moshën 23-vjeçare, unë ndoshta do të isha futur në telashe. Nuk ka asnjë lloj fuqie te fama, asnjë. Ajo është një krijesë e diçkaje që ashtu sikurse vjen, ashtu edhe ikën. Gjithçka që mund të bësh, është të punosh, këtë parim e kam pasur gjithnjë të qartë në mendjen time. Unë thjesht dua të perfeksionohem gjithnjë e më shumë dhe pse jo, të punoj me aktorë të mëdhenj dhe regjisorë të famshëm. Pjesa tjetër është diçka me të cilën duhet të merret personalisht çdo aktor që përballet me famën.

Marrëdhënia me paparacët

Të bëhesh pjesë e një filmi që lulëzon financiarisht, natyrisht që ka edhe dobitë e veta. Kur vjen kjo, profili yt si aktor do të ketë interes për paparacët. Kjo ishte një gjë e re për mua. Mendoj se në këtë situatë, thjesht duhet të mësosh se si ta përdorësh famën dhe paparacët. E them këtë sepse unë ende mendoj se mund të kem një jetë normale. Nuk e di për ç’arsye, por të paktën këto muajt e fundit në Los Angeles, unë nuk kam pasur asnjë problem me paparacët. Përfundimisht, ti do të takosh dikë që do të të njohë ty në të vërtetë dhe kjo është diçka e këndshme.

I dua fansat, por s’jam gati të komunikoj me ta në internet

Nuk do doja që njerëzit që më pëlqejnë për rolet e mia në filma, të duan të dinë gjithçka rreth jetës sime personale. Vështirësia jonë si aktorë është që përherë e më shumë njerëz kërkojnë të dinë se kush jemi ne si persona, gjë që e vështirëson më shumë futjen në brendësi të rolit në film dhe pranimin e këtij karakteri nga ana e publikut. Kështu që s’mund ta imagjinoj që do filloja të komunikoja online me fansat e mi përmes Twitter apo Facebook, t’u flisja atyre për jetën time private etj etj. Kjo sepse në këtë mënyrë atyre u duhet të kapërcejnë një tjetër barrierë për të më parë mua si Eddie Morra në filmin “Limitless”.

Cooper: Jam një seks-simbol falë Fotoshopit

Aktori hollivudian Bradley Cooper mendon se nuk është edhe aq i bukur siç thonë shumë njerëz. Ylli i filmave aksion, i cili vitin e kaluar ka arritur të futet në top-10 e meshkujve më seksi në Hollywood, është i bindur se nuk vlen edhe aq shumë kur vjen puna te pamja e jashtme, siç mendojnë shumë njerëz. Sipas tij, epitetin e seks-simbolit ai e ka fituar falë fotografive të rregulluara me Fotoshop. “Nuk e besoj kur të tjerët thonë se jam një ndër meshkujt më seksi në Hollywood. Mendoj se nëna ime është ajo e cila ka postuar fotografitë e mia të rregulluara me Fotoshop dhe më ka falur epitetin e seks-simbolit”, - tha Cooper.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›