Basha përplaset me kryeparlamentaren Nikolla, braktis parlamentin

Kryetari i PD, Lulzim Basha është përplasur ashpër me kryeparlamentaren Lindita Nikolla, që në nisje të seancës. Pas debatit, lideri i PD, i ndjekur nga deputetët e tij braktisi seancën plenare.
Debati
Basha: Turp të vijë. E ke nisur me shkelje seancën. Merr urdhëra nga salla
Nikolla: Faleminderit. Po zbatoj rregulloren
Basha: Turp të vijë. E rrënove që ditën e parë parlamentin
Pse nisi sherri
Në seancën e sotme ishte parashikuar miratimi i kryetarëve të komisioneve dhe anëtarëve të Byrosë së Kuvendit. LSI-ja përmes deputetit Petrit Vasili, kërkoi më shumë kohë për pozicionim e katër deputetëve të forcës së tij në Komisionet Parlamentare.
Kryetari i grupit të PD-së Alfred Rrushaj, i kërkoi kryetares së Kuvendit pak minuta pushim që të diskutonin me përfaqësuesit e LSI-së, por Taulant Balla propozoi që sot të miratoheshin vetëm drejtuesit e komisioneve dhe anëtarët në seancën tjetër.
Propozimi u miratua vetëm me votat e shumicës socialiste duke shkaktuar reagimin e fortë të Lulzim Bashës që akuzoi Lindita Nikollën se shkeli rregulloren që në seancën e parë që drejtoi parlamentin.