Basha përuron nisjen e punimeve në rrugën “Bajram Allaraj”

Kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka përururar sot nisjen e punimeve të rrugës “Bajram Allaraj” në kryeqytet.
Në një prononcim për mediat, kryebashkiaku Basha theksoi se ndërtimi i kësaj rruge do të përmirësojë jetësën e banorëve të 2 njësive bashkiake të kryeqytetit.
“Rruga “Bajram Allaraj” ndodhet në një nga zonat e reja të Tiranës, jemi mësuar ti quajmë edhe zona informale por që në fakt sot përbëjnë afro gjysmën e qytetit, për nga shtrirja dhe popullsia që jeton në to. Rruga do u shërbejë 1500 banorëve të kësaj zone të qytetit dhe është pjesë e zotimit tonë, që të trajtojmë pa asnjë diskriminim çdo pjesë të qytetit, nëse është qendër apo periferi. Të gjithë do të përfitojnë dhe po përfitojnë nga investimet e Bashkisë së Tiranës” u shpreh Kryebashkiaku Basha.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha bëri të ditur dhe 4 projektet e tjera që nisin gjatë kësaj jave zbatimin, në kryeqytet. “Po këtë javë, nisin investimet në katër rrugë të tjera të qytetit, tek “Odise Grillo”, rruga që lidh “5 Majin” me “Selaudin Zorbën”, tek “Marko Boçari” dhe tek blloku mes rrugës së “Dibrës”, “4 Dëshmorëve” dhe rrugës “Bardhyl”. Në tërësi, 47 projekte rrugësh do të jenë në avancim të plotë, deri në muajin tetor dhe këto projekte do të përfundojnë brenda pranverës së vitit të ardhshëm. Përveç këtyre, Bashkia po vazhdon përpjekjet për të finalizuar projektet dhe për të nisur investimet në 12 blloqe urbane si dhe 22 objekte shkollore dhe parashkollore anembanë qytetit” theksoi ai.
Investimi i rrugës "Bajram Allaraj" ka një investim prej rreth 17.8 milionë lekësh. Projekti i kësaj rruge me gjatësi prej 620 ml parashikon ndërtimin e trupit të rrugës me gjerësi 6 m, (2 x 3 m), trotuare në të dy anët me gjerësi 1,1 m; rrjetin e kanalizimeve të ujrave të shiut; ndriçim rrugor dhe gjelbërim. Punimet në këtë rrugë, të cilat u përfshinë në buxhetin e vitit 2012, pas kërkesës së bërë nga vetë banorët.