E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha premton 6 shkolla te reja ne Tirane

Gjashtë shkolla të reja 9-vjeçare do t’i shtohen arsimit paraunivesitar të Tiranës vitin e ardhshëm, pasi Bashkia po planifikon hapjen e shesheve të ndërtimit, një hap që do të reflektohet edhe në buxhetin që do t’i paraqitet së shpejti Këshillit Bashkiak.

“Ka nxënës që udhëtojë 20-45 minuta për të ardhur në shkollë, një standard i papranueshëm në qytetin tonë", vuri në dukje Kryebashkiaku Lulzim Basha, i cili uroi sot nxënësit dhe mësuesit në mbarë kryeqytetin me rastin e hapjes së vitit të ri shkollor. Në këtë ditë, Basha u rikthye në shkollën 9-vjeçare “Skënder Çaçi”, ku 23 vite më parë është arsimuar me rezultate të shkëlqyera, për t’i uruar suksese dhe një vit të mbarë mësimor të gjithë nxënësve e mësuesve.

Pasi u takua me stafin e kësaj shkolle, Kryebashkiaku vizitoi të gjitha ambientet e shkollës “Skender Çaçi”, ku edukohen 1200 nxënës dhe u informua mbi gjendjen e mirë të godinës trekatëshe e rikonstruktuar në vitin 2008.

Sipas Bashës, në shkollat e kryeqytetit është punuar në disa aspekte, “por Bashkia e Tiranës do ta përqëndrojë vëmendjen në tre drejtime: siguria në shkolla, duke nisur me sigurinë rrugore të fëmijëve, disiplinimin e trotuarit dhe vendosjen e sinjalistikës; përmirësmin e gjendjes higjeno- sanitare dhe në planifikimin e ndërtimit të gjashtë shkollave të reja”.

Në fund të kësaj vizite, stafi i mësuesve të shkollës “Skender Çaçi” i dhuruan Kryetarit të Bashkisë, Basha, një foto kujtimi me çertifikatën e tetë viteve të edukimit të tij që datonte në 1988.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›