E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto Qeveria ka ne krye te programit axhenden e integrimit evropian

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto priti sot Ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Greqisë, z. Franko Fratini dhe Stravris Lambrinidis.

Sipas zyrës së shtypit të MPJ, Ministri Haxhinasto vuri në dukje se qeveria e ka në krye të programit së saj axhendën e integrimit evropian dhe vazhdon të ndërmarrë reforma të gjithanshme që zhvillojnë dhe përparojnë vendin në këtë rrugëtim.

Haxhinasto u bëri me dije homologëve të tij nismat e ndërmarra nga mazhoranca për të nxitur dhe vijuar, në mënyrë të sinqertë, debatin dhe bashkëpunimin politik institucional për këto reforma të rëndësishme për vendin, si dhe bëri një pasqyrë të përparimit që ka bërë Shqipëria gjatë kësaj kohe në ekonomi dhe fusha të tjera.

Ministri Haxhinasto u shpreh se propozimet për të bërë një përparim konkret tashmë ekzistojnë, si: fillimi i reformës zgjedhore, zbatimi i planit kombëtar të veprimit për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, etj.
Ai gjithashtu theksoi se me situatën e re të krijuar, me hyrjen e opozitës në Parlament, priten rezultate konkrete, që do të shënojnë adresimin e plotë të 12 rekomandimeve të KE.

Ministri, gjithashtu, vuri në dukje se mazhoranca i përmbahet angazhimit të saj të vazhdueshëm për një bashkëpunim institucional konkret, të hapur dhe konstruktiv, në shërbim të interesit kombëtar të të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Ministrat Fratini dhe Lambrinidis theksuan se, si miq të Shqipërisë, mbështesin procesin e integrimit evropian të vendit. Ata theksuan se nga Shqipëria priten rezultate të mëtejshme konkrete, dhe se këto, në radhë të parë, u shërbejnë qytetarëve shqiptarë, në interesin më të mirë të tyre. Ndër të tjera, dy ministrat përmendën domosdoshmërinë e nisjes së reformës zgjedhore dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar në Parlament.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›