Basha prezanton shtesën që i është bërë logos së Partisë Demokratike

Pas përfundimit të mbledhjes me Kryesinë dhe Kolegjin e Kryetarëve, në të cilën u vendos për rekurs të vendimit të Gjykatës të Apelit në Gjykatën e Lartë, Lulzim Basha ka prezantuar shtesën që i është bërë logos së Partisë Demokratike.
Bashkë me sloganin “Shqipëria meriton më shumë”, me të cilën u prezantua programi i PD në 1 qershor, siglës së Partisë Demokratike i është shtuar edhe “DEMOKRATËT EUROATLANTIK˔.
Pas një diskutimi të gjatë me strukturat drejtuese, Basha deklaroi se, në çdo rast shqiptarët do të kenë alternativën që presin në zgjedhjet e ardhshme.
““DEMOKRATËT EUROATLANTIK˔ identifikon tashmë Partinë Demokratike, duke nënvizuar vazhdimin e angazhimeve themelore dhe identitare me të cilat kjo forcë politike ka lindur, si forca e parë properëndimore e pluralizmit shqiptar”, theksoi Basha.
“Duke mbajtur të qartë edhe një nga dallimet parimore që ishin në qendër të përplasjeve të brendshme që nisën pas shpalljes “non grata” të Sali Berishës dhe pezullimin e këtij të fundit nga grupi parlamentar i PD”, tha Basha.
“Qëndrim që ka qenë koherent në këto 3 vite, i cili u nënvizua edhe ditën e sotme nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, ku u shpreh se qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar në lidhje me personat e përcaktuar si “non grata”. Në po të njëjtin mesazh, Ambasada e SHBA deklaroi se të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA”, shtoi ai.
/rtsh.al/