Xhafja: Komisioni Antikorrupsion është përtej ndasive politike, i keqardhur për mungesën e opozitës

Në mbledhjen e tij të parë ku është bërë dhe konstituimi i Komisionit Anti-Korrupsion me drejtues Fatmir Xhafaj, opozita ka bojkotuar mbledhjen.
Në fjalën e tij kryetari i Komisionit të Posaçëm për Mirëqeverisjen dhe Antikorrupsionin, deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj, u shpreh se, “ky komision është në funksion të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030”
Duke përmendur dhe bojkotim e 2014 nga ana e opozitës për sa i takon Reformës në Drejtësi, Xhafa tha se, koha dëshmoi se opozita gaboi duke bojkotuar komisionin.
“Vendimi i Kuvendit për ngritjen e këtij komisioni të posaçëm parlamentar ishte i qartë. Përgjegjësia jonë është e qartë, ne duhet të adresojmë disa sfida të rëndësishme në interes të qytetarëve dhe në funksion të integrimit në BE dhe me synimin për ta pasur Shqipërinë anëtare me të drejta të plota në BE”, tha Xhafaj.
Ndaj theksoi ai, “ky duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës në rrafshin politik, institucional dhe social. Në këtë kontekst, roli i opozitës është tejet i rëndësishëm. Pjesëmarrja e saj në këtë proces është me rëndësi për qëllimin që do të adresojë kjo reformë. Jam i keqardhur që opozita nuk i është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese për bashkëpunim, këtij detyrimi të përbashkët për pjesëmarrje dhe angazhim në këtë komision”.
Ky komision, vazhdoi Xhafaj, do të adresojë çështje jetike për qytetarët e këtij vendi, që shkojnë përtej partive tona”.
“Për fat të keq, kjo situatë e sotme më sjell në kujtesë një situatë të ngjashme kur filloi veprimin në vitin 2014 komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi. Edhe asokohe opozita, në vitin 2014, edhe pse kishte votuar ngritjen e atij komisioni, nuk mori pjesë në mbledhjen e parë dhe të konstituimit të komisionit. Mungoi edhe në disa mbledhje në vijim, por më pas mori pjesë. Koha tregoi se opozita gaboi, shpresoj që kjo gjë të mos përsëritet dhe uroj që ta kemi sa më shpejt opozitën mes nesh”, tha Xhafaj.
Kuvendi miratoi në 30 maj me 74 vota pro dhe 6 kundër projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.
Komisioni i Posaçëm ka për objekt hartimin dhe miratimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme për adresimin e sfidave përkatëse në këto fusha, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale, të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse.
/rtsh.al/