Basha reagon ndaj Berishës: Riciklimi i akuzave, për të hequr vëmendjen nga pazari për vulën e PD-së

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me akuzat e Sali Berishës, i cili e akuzoi se ka dorë në “non grata”-n nga Britania e Madhe.
Me anë të një postimi në Facebook, Basha tha se mashtrimet që riciklohen nga kati i 8-të janë dallaveret e radhës për të fshehur pazarin me Ramën për mbylljen e listave dhe me vendimin e 11 qershorit.
Sipas tij, këto akuza vijnë kur Gjykata ka dhënë argumentin më qesharak për skandalin e vendimit të 11 qershorit, ai mundohet të riciklojë shpifje për të fshehur këtë pazar të ndyrë me Edi Ramën dhe oligarkët e përbashkët.
Basha më tej shprehet se, akuzat e lodhura të cilat janë hedhur poshtë edhe me vendim Gjykate në Britani të Madhe, nuk davarisin dot duhmën që lëshon marrëveshja e tij me Edi Ramën, që kundërmon brenda dhe jashtë vendit.
“Mashtrimet që riciklohen nga kati i 8-të nuk janë gjë tjetër veçse dallaveret e radhës për të fshehur pazarin me Ramën për mbylljen e listave dhe vendimin e 11 qershorit”, u shpreh Basha.
“Në ditën kur Gjykata ka dhënë argumentin më qesharak për skandalin e vendimit të 11 qershorit, ai mundohet të riciklojë shpifje për të fshehur këtë pazar të ndyrë me Edi Ramën dhe oligarkët e përbashkët”, theksoi më tej Basha.
Ai shtoi se, “pazari për Amnistinë, pazari skandaloz për vulën dhe sabotimi i Reformës Zgjedhore janë gjyle në këmbën e shqiptarëve dhe demokratëve, që duan drejtësi dhe një Reformë Zgjedhore të vërtetë”.
“Akuzat e lodhura të cilat janë hedhur poshtë edhe me vendim Gjykate në Britani të Madhe, nuk davarisin dot duhmën që lëshon marrëveshja e tij me Edi Ramën, që kundërmon brenda dhe jashtë vendit”, përfundoi reagimin e tij Lulzim Basha.
/r.e/