Basha shkon +76 vota, PS: Një kuti me kode të ndryshuara
Tiranë Shkon në 76 vota diferenca mes kandidatit demokrat Lulëzim Basha dhe atij socialist Edi Rama. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur dje pjesën e mbetur të kutive të votimit për njësitë bashkiake, duke numëruar votat e hedhura gabim për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Në 93 kutitë e hapura këto tri ditë nga KQZ, kandidati Lulëzim Basha ka marrë 149 vota, ndërsa ai socialist vetëm 63 vota, duke ndryshuar kështu balancën në kryesimin e garës për Bashkinë e Tiranës me 76 vota avantazh për Bashën. Edhe gjatë ditës së djeshme procesi i këqyrjes së kutive ka zbuluar mangësi të tjera të rënda, siç ishte ajo e kutisë me numër 1971, së cilës nuk i përkonin numrat e kodeve me ato të momentit të mbylljes.
Debati
Edhe në ditën e tretë të numërimit të votave të gjetura në kutitë e gabuara, Komisioni Qendror është gjendur i rrethuar nga protestuesit socialistë, të cilët, megjithëse të paktë në numër, kanë kërkuar ndërprerjen e këtij procesi, duke e konsideruar atë si maskaradë. Por pavarësisht kësaj, KQZ-ja ka hapur dje më shumë se 40 kuti votimi për njësitë bashkiake, ku ka gjurmuar fletët e votimit për kryetar bashkie dhe anëtarë të këshillit bashkiak. Palët kanë përsëritur argumentet e dy ditëve të para, ku opozita ka akuzuar anëtarët e djathtë të KQZ-së se me urdhra politikë po shkelin Kodin, duke i dhënë mandatin e kryetarit të bashkisë, Lulzim Bashës. Ndërsa mazhoranca është mbrojtur se procedura që po ndiqet është ligjore dhe se numërimi i çdo vote është detyrim i saj. Por edhe dje, ashtu si dy ditët e para janë hasur jo pak probleme me procesin e numërimit të votave. Kështu, kutia me numër 1971 nuk është lejuar të hapet, pasi kodet e mbylljes së saj nuk korrespondonin me ato që kishte vetë kutia, në momentin e djeshëm. Kjo ka sjellë reagimin e ashpër të përfaqësuesve të majtë, të cilët kanë vlerësuar se kjo është një provë dhe precedent se procesi është i manipuluar dhe se kutitë janë hapur më parë, në magazinat e KQZ-së. Gjithashtu, janë hasur dhe disa raste të tjera, ku gjurmët e lëna nga komisionerët e grupeve të numërimit apo anëtarët e KZAZ-ve në procesverbale nuk vërtetoheshin nga gjendja faktike e kutive të votimit.
Numërimi
Pavarësisht problemeve, KQZ ka hapur dje rreth 40 kuti votimi, nga të cilat kanë rezultuar 69 vota të vlefshme për Lulzim Bashën dhe 32 vota për Edi Ramën. Kandidati komunist Hysni Milloshi ka marrë 2 vota. Kjo ka bërë që në total, në tri ditë numërim, Basha të marrë 149 vota, ndërsa Rama 63, pra duke siguruar 86 vota më shumë. Po të llogarisim dhe 10 votat që Rama kishte avantazh, pa nisur ky proces, diferenca mes dy kandidatëve shkon në 76 në favor të Bashës. Megjithatë, duhet theksuar se ky proces numërimi nuk është mbyllur ende, pasi KQZ pret dhe disa kuti me fletë për kryetarin e bashkisë nga njësia 5, e cila nuk ka përfunduar ende procesin e numërimit të votave për njësinë. Po gjatë ditës së djeshme, KQZ ka hedhur poshtë kërkesën e dy anëtarëve të majtë për të miratuar tabelën e rezultateve të njësisë numër 5.