E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana shkon në Kolegj, PS: Detyroni KQZ të shpallë rezultatin

SHKRUAN: Leonard Bakillari 21-05-2011 12:41

Tiranë Partia Socialiste ka vendosur të ndjekë rrugën ligjore për atë që e quan vonesë të KQZ-së në shpalljen e rezultatit përfundimtar për Tiranën. Ditën e djeshme Partia Socialiste ka depozituar në Kolegjin Zgjedhor një kërkesë-padi të nënshkruar nga sekretari për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, me anën e së cilës kërkon shpalljen e rezultatit për Bashkinë e Tiranës. Kërkesë-padia, sipas PS-së, vjen pas refuzimit të KQZ-së për të shpallur rezultatin për kryebashkiak të Tiranës, edhe pse një gjë e tillë është kërkuar zyrtarisht nga ky institucionin që në datën 16 mars. Sipas padisë, PS-ja kërkon nga institucioni më i lartë i administrimit të procesit zgjedhor, që është Kolegji Zgjedhor, të detyrojë KQZ-në të shpallë rezultatin në bazë të tabelës përmbledhëse të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë dhe shpalljen e kandidatit fitues. Sipas argumenteve ligjore që janë bazuar në të paktën 10 nene të Kodit Zgjedhor, PS-ja thotë se Kolegji Zgjedhor duhet të shprehet edhe për KZAZ-në nr.49, që i përket njësisë nr.5 në kryeqytet, tabela përmbledhëse e së cilës nuk është miratuar nga komisioni i kësaj njësie. “Në përfundim të procesit të numërimit të votave për kandidatët për kryetar të Bashkisë Tiranë dhe Këshillin Bashkiak të Tiranës, nga dhjetë KZAZ të kësaj Zone Zgjedhore janë miratuar tabelat përmbledhëse të rezultateve të qendrave të votimit, ndërsa KZAZ nr.49 nuk e ka miratuar këtë tabelë, duke marrë vendimin Nr.37 datë 16.05.2011 për mosmiratimin e saj” - thuhet në kërkesë-padi, ku më pas argumentohet përse Kolegji Zgjedhor duhet t’i japë zgjidhje këtij problemi. Më tej, sekretari për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, argumenton se në kushtet e mosmiratimit të tabelës përmbledhëse ky subjekt politik ka paraqitur ankim në KQZ në këtë datë, me objekt ndryshimin e vendimit nr.37 datë 16.05.2011 të KZAZ nr.49 dhe miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë. “Ky ankim është depozituar në KQZ dhe është regjistruar në regjistrin e ankimeve më datën 16 maj me nr.4449 prot., ora 20.15. Në bazë të neneve 129 e 131 të Kodit Zgjedhor, shqyrtimi i kësaj kërkese ankimore duhet të kishte përfunduar dhe duhet të ishte marrë vendimi brenda 72 orëve nga regjistrimi i saj në regjistrin e ankimeve të KQZ”- thuhet në padi, ku gjithashtu specifikohet se deri ditën e djeshme, KQZ nuk ka marrë vendim për këtë kërkesë ankimore, duke tejkaluar kështu afatet ligjore. Në kërkesë-padinë drejtuar Kolegjit Zgjedhor, Partia Socialiste jep argumentet e saj edhe për situatën e krijuar me tabelat përfundimtare të 10 KZAZ-ve të zonës zgjedhore të Bashkisë së Tiranës, sipas të cilave KQZ duhet të kishte shpallur tashmë rezultatin për bashkinë më të madhe në vend. “Rezulton se është plotësuar e ka kaluar edhe afati prej 48 orë për nxjerrjen e rezultatit dhe miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë dhe shpalljen e kandidatit fitues. Në këto kushte, është ligjërisht e detyrueshme të urdhërohet KQZ që, së bashku me miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për KZAZ Nr.49, të marrë vendim edhe për nxjerrjen e rezultatit dhe miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë dhe shpalljen e kandidatit fitues për këtë Bashki, në bazë të rezultateve të miratuara” - thuhet në kërkesë-padinë drejtuar Kolegjit Zgjedhor. Për të gjitha këto argumente ligjore, PS kërkon nga Kolegji të marrë në shqyrtim këtë kërkesë-padi dhe të detyrojë KQZ-në të marrë vendim për nxjerrjen e rezultatit dhe miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë si dhe të shpallë kandidatin fitues.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›