E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, votë për Edi Ramën? Shpërthen “lufta” Presidencë-KQZ

KQZ hap kutinë ku dyshohet se presidenti Bamir Topi ka votuar gabimisht dhe gjen vetëm 1 votë për Edi Ramën. Presidenca reagon ashpër: Spekulim politik e mediatik, KQZ, mungesë profesionalizmi dhe pavarësie me vonesat për rezultatin e zgjedhjeve

Tiranë Votimi më 8 Maj rihap debatin për marrëdhëniet reale mes kreut të shtetit, Bamir Topi, dhe mazhorancës së djathtë. Shkak është bërë fleta e votimit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, që sipas pamjeve filmike dyshohet se presidenti Topi e ka hedhur në mënyrë të gabuar, në kutinë e kryetarit të njësisë bashkiake të qendrës së votimit 1968, në KZAZ 53. Kjo kuti votimi është hapur dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, brenda së cilës është gjetur vetëm një votë për kandidatin e majtë, Edi Rama. Ditët e fundit, mediat ritransmetuan kronikat e lajmeve të votimit të presidentit Topi, ku ky i fundit dukej të kishte ngatërruar kutitë e votimit, duke votuar për kreun e Bashkisë së Tiranës, në kutinë e kryetarit të njësisë bashkiake. Pavarësisht se KQZ, gjatë hapjes së kësaj kutie nuk ka bërë asnjë koment lidhur me këtë çështje, menjëherë mediat vizive kanë dhënë lajmin se ishte zbuluar vota e kreut të shtetit dhe se ai kishte votuar për Edi Ramën. Kjo është bërë shkak për debate më pas në KQZ, ku Artan Lazaj ka deklaruar se numërimi i votave të gabuara komprometon gjithë sigurinë e procesit të votimit, duke cenuar parimin e fshehtësisë së votës. Mbrëmë vonë ka ardhur dhe reagimi i ashpër i Presidentit, i cili përmes zëdhënëses Mimoza Koçiu, e ka konsideruar këtë lajm si fabrikim për interesa politike dhe mediatike. Presidenti nuk i ka kursyer kritikat për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke pohuar se:”Ky aludim mbetet produkt politik e mediatik për tërheqjen e vëmendjes nga problemet e mëdha që po shfaq vonesa dhe mungesa e profesionalizmit dhe pavarësisë nga ana e KQZ-së për administrimin ligjor të rezultatit të zgjedhjeve”.

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi hedh poshtë me neveri spekulimet politike dhe mediatike, lidhur me votën e tij të fshehtë të dhënë më 8 Maj për organet e qeverisjes vendore. Presidenti i Republikës e ka ushtruar të drejtën e tij kushtetuese të votës si çdo qytetar tjetër, me bindjen e plotë se vota e çdo qytetari është dhe duhet të jetë e fshehtë, siç përcaktohet nga Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë. Çdo qytetar i interesuar ka patur rastin të shohë në formë publike e vizive aktin e votimit të Presidentit, si votim i rregullt, ligjor dhe korrekt. Çdo aludim tjetër, mbetet produkt i sajuar politik e mediatik, i lidhur me kontekstin politik të ditës si dhe për tërheqjen e vëmendjes nga problemet e mëdha që po shfaq vonesa në administrimin ligjor të rezultatit të zgjedhjeve”, - tha mbrëmë zëdhënësja e Presidentit. Ajo ka shtuar se presidenti Topi refuzon të përfshihet në spekulimet dhe lojërat politike të ditës, dhe me cilësinë e Kryetarit të Shtetit apelon edhe njëherë aktorët politikë dhe KQZ që të lënë mënjanë çdo alibi dhe përpjekje për të sajuar skema të tilla të ulëta dhe të kryejnë detyrën dhe përgjegjësinë që u ngarkon ligji dhe interesat madhore të vendit”, - thuhet në këtë deklaratë.

F.Braushi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›