E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha takim me reporterët e Asamblesë Parlamentare të KE

Reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës David Vilshire dhe Jaako Laakso janë pritur sot në një takim zyrtar nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Basha informoi raporterët e Këshillit të Europës në veçanti për progresin e arritur në përmbushjen e kritereve për përfitimin e liberalizimit të vizave me BE.
“Sistemi i aplikimit dhe shpërndarjes së dokumentave të identitetit, letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike, është i sigurtë, nga më modernët në Europë dhe njëkohësisht ofron shpejtësinë optimale të shërbimit ndaj qytetarëve. Megjithëse procesi i lëshimit të pasaportave biometrike nisi më 1 Maj dhe pati një ndërprerje për shkak të angazhimit për paisjen e qytetarëve me letërnjoftime elektronike për zgjedhjet e qershorit, deri më tani numërohen 245 mijë aplikime për pasaporta biometrike, 234 mijë prej të cilave janë prodhuar. Ky fakt dëshmon se Shqipëria ka ritmin më të lartë të paisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike në rajon” u shpreh Ministri Basha.
Përsa i takon një kushti tjetër të rëndësishëm për liberalimin e vizave, që është siguria e kufijve, Ministri Basha informoi raporterët se është përmbyllur instalimi i sistemit TIMS në të 26 pikat e kalimit kufitar. Gjatë takimit me raporterët Ministri Basha informoi mbi luftën e vazhdueshme me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Z. David Vilshire dhe Z. Jaako Laakso vlerësuan progresin e arritur në fushën e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave të Shqipërisë me BE duke e cilësuar punën e kryer deri më tani si mjaft efektive dhe të suksesshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›